Buxhetimi me pjesëmarrje në Rajonin nr. 5, nga shkolla “Fadil Gurmani” te investimet e reja.
Dëgjesat me banorët për Buxhetin e vitit 2027 vijuan në Rajonin nr. 5, ku kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi bashkëbisedimin me qytetarët në shkollën “Fadil Gurmani”, një prej investimeve të rëndësishme të realizuara në këtë zonë.
Dikur një shkollë për të cilën prindërit kërkonin kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor, sot “Fadil Gurmani” është rikonstruktuar tërësisht dhe është një nga shkollat me kushtet më të mira në Elbasan. Krahas ambienteve të shkollës, është krijuar edhe një fushë sportive, e cila përdoret jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga komuniteti.
Duke folur për investimet në Rajonin nr. 5, kryebashkiaku Llatja u ndal edhe te ndërhyrjet e realizuara në sheshet e pallateve të kësaj zone, ndërsa theksoi se të tjera ndërhyrje pritet të nisin së shpejti, sipas prioriteteve të përcaktuara nga banorët.
Një tjetër ndërhyrje e parashikuar lidhet me sistemin kapot, termoizolimin e pallateve. Bashkia ka bërë një studim për eficiencën e energjisë në lagjet Haxhias dhe Partizani, me synim kursimin e energjisë për banorët, përmirësimin e kushteve të banimit dhe rritjen e vlerës së pallateve përmes termoizolimit.
Një nga problematikat kryesore të ngritura nga banorët gjatë buxhetimit me pjesëmarrje ka qenë ndërhyrja në sheshet prapa Postës së lagjes.
Llatja u ndal edhe te investimet që Bashkia ka realizuar në Elbasan për sportin dhe arsimin, duke theksuar se ka pasur një rivitalizim të terreneve sportive dhe ndërhyrje në shkolla, me synim krijimin e kushteve më të mira për fëmijët dhe të rinjtë.
Në Rajonin nr. 5, banorët votuan prioritetet e tyre gjatë dëgjesës për Buxhetin 2027. Kërkesat dhe problematikat e ngritura prej tyre do të përkthehen në investime konkrete në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Buxhetimi me pjesëmarrje ka në themel zërin e qytetarit, duke i dhënë komunitetit mundësinë të përcaktojë prioritetet dhe investimet e nevojshme për zonën ku jeton.
