Buxhetimi me pjesëmarrje në Labinot-Fushë, investimet në rrugë dhe zgjidhja e problematikave infrastrukturore

Buxhetimi me pjesëmarrje për Buxhetin 2027 vijoi në Njësinë Administrative Labinot-Fushë, ku kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një takim me banorët për të diskutuar mbi problematikat e zonës, investimet e realizuara dhe ndërhyrjet e nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës.
Gjatë takimit, Llatja u ndal te investimet e kryera në rrugën e Frigoriferit në Mengël, një fshat me qarkullim të konsiderueshëm pranë qytetit të Elbasanit, ku mungesa e infrastrukturës ishte kthyer prej kohësh në shqetësim për banorët. Ai theksoi se ndërhyrja ka përmirësuar kushtet e lëvizjes dhe ka forcuar lidhjen e Menglit me qytetin.
Një tjetër investim i rëndësishëm është rruga e Samurrit, e kërkuar prej kohësh nga banorët dhe fermerët për të lehtësuar aksesin në tokat bujqësore dhe për të nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe pemtarisë. Ndërkohë, pritet të nisë së shpejti puna edhe për rrugën e Teqes, ku do të ndërhyhet për zgjidhjen e problematikave të krijuara nga amortizimi.
Llatja përmendi gjithashtu ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore të Labinot-Fushë, ku një pjesë e konsiderueshme e rrugëve të Godoleshit është shtruar me beton, si dhe investimet e tjera të kryera. Në vijim, pritet të përmirësohet edhe lidhja rrugore me Polisin e Vogël, fshat që, pavarësisht se i përket Njësisë Administrative Shushicë, ka lidhje të rëndësishme me Labinot-Fushë.
“Problematikat infrastrukturore kanë qenë të shumta, por kemi punuar për t’u dhënë zgjidhje përmes investimeve konkrete. Kemi pasur një vëmendje të veçantë për Labinot-Fushë, ku ndërhyrjet kanë përfshirë rrugë të rëndësishme për banorët dhe zhvillimin e zonës. Projektet tona do të vijojnë edhe në të ardhmen, me synimin për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të zgjidhur shqetësimet e komunitetit”, u shpreh kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.
Takimi në Labinot-Fushë është pjesë e procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, përmes të cilit banorët paraqesin problematikat dhe nevojat e tyre, diskutojnë zgjidhjet e mundshme dhe votojnë për investimet që i konsiderojnë më të rëndësishme.
Prioritetet e përzgjedhura nga komuniteti do të merren në konsideratë në hartimin e Buxhetit 2027, duke u dhënë qytetarëve një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen për zhvillimin e zonës së tyre.