Klubi Shumësportësh Elbasani, tri ditë aktivitete sportive në kuadër të Javës së Demokracisë
Tri ditë të mbushura me sport, energji dhe entuziazëm për fëmijët dhe të rinjtë e Elbasanit. Në kuadër të Javës Evropiane të Demokracisë Lokale 2026, nën kujdesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Kulturës dhe Sporteve, z. Artin Kovaçi, Klubi Shumësportësh Elbasani u bë pjesë e kësaj nisme përmes një sërë aktivitetesh sportive, të zhvilluara në shkollat dhe terrenet sportive të qytetit.
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme u përfshinë në lojëra dhe aktivitete të ndryshme sportive, duke sjellë atmosferë, bashkëpunim dhe frymë sportive. Të veshur me ngjyrat verdheblu të klubit, ata përcollën simbolikën e sportit si një gjuhë që bashkon dhe krijon mundësi për të gjithë.
Përgjatë këtyre tri ditëve, mesazhi ishte i qartë: sporti nuk është vetëm aktivitet fizik, por edhe një mënyrë për të nxitur gjithëpërfshirjen, miqësinë, bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në komunitet.
Klubi Shumësportësh Elbasani vijon të promovojë sportin dhe vlerat e tij te brezi i ri, duke përcjellë energjinë verdheblu dhe duke nxitur një qytet më aktiv, ku çdo fëmijë ka vendin e tij.