Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani mirëpret Takimin e IV të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri

Elbasani mirëpriti Takimin e IV të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri, një forum dialogu mes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe pushtetit vendor, ku në fokus ishte roli i qeverisjes vendore në procesin e integrimit evropian. Në takim morën pjesë kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, bashkëkryetari i Komitetit, Antonio Mazzeo, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe evropiane.

Në fjalën e tij, kryebashkiakaku Llatja theksoi se integrimi evropian nuk ndërtohet vetëm në nivel qendror, por edhe përmes punës së përditshme të bashkive, shërbimeve për qytetarët dhe forcimit të institucioneve vendore.

Duke iu referuar zhvillimeve të ditëve të fundit, ai i cilësoi shqetësuese aktet e dhunës dhe dëmtimin e investimeve publike, si ndriçimi, infrastruktura arsimore dhe sinjalistika, të ndërtuara ndër vite në shërbim të komunitetit. Sipas tij, këto veprime cenojnë jo vetëm pronën publike, por edhe sigurinë, besimin e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Llatja nënvizoi se hapësirat dhe institucionet publike nuk duhet të kthehen në mjete për shprehjen e pakënaqësive në mënyra që cenojnë bashkëjetesën dhe sigurinë e komunitetit, duke theksuar se demokracia kërkon jo vetëm respektimin e të drejtave, por edhe përmbushjen e detyrimeve qytetare.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Sofia Moreira de Sousa, theksoi rëndësinë e institucioneve që të kenë kapacitetin për të dëgjuar qytetarët dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre. Ajo nënvizoi se dialogu dhe funksionimi i institucioneve janë thelbësore për një demokraci të qëndrueshme.

Nga ana e tij, bashkëkryetari Antonio Mazzeo u ndal te reforma territoriale, duke theksuar se ajo duhet të mbështetet te funksionet dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor dhe jo te interesat elektorale.

Diskutimet u përqendruan në dy çështje kryesore, rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimin e transportit publik. Në sesionin e parë, të moderuar nga kryetari Gledian Llatja, u trajtuan kapacitetet administrative të bashkive, financimi, hartimi i projekteve cilësore dhe mundësitë për të përfituar nga programet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa sesioni i dytë iu kushtua transportit publik dhe rëndësisë së tij për lidhjen e zonave urbane, periferike dhe rurale, zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.

Takimi shërbeu si një mundësi për të shkëmbyer përvoja dhe për të identifikuar hapa konkretë që forcojnë rolin e bashkive në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Siç u theksua edhe në përmbyllje nga kryetari Llatja, përparimi drejt integrimit kërkon bashkëpunim mes qeverisjes qendrore, asaj vendore dhe partnerëve evropianë, me synimin që standardet evropiane të përkthehen në shërbime më të mira dhe më shumë mundësi për qytetarët.

Përzgjedhja e Elbasanit si qytet mikpritës i këtij takimi merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se këtë vit qyteti iu bashkua zyrtarisht misionit të Bashkimit Evropian “100 + 12 Qytete Klimatike-Neutrale dhe të Mençura deri në vitin 2030”, duke e vendosur në një rrjet evropian qytetesh që angazhohen për zhvillim të qëndrueshëm dhe transformim të gjelbër.