Buxhetimi me pjesëmarrje në Funar, investimet në turizëm dhe rruga e re Dopaj–Branesh në fokus
Buxhetimi me pjesëmarrje në Njësinë Administrative Funar vijon të sjellë në vëmendje investimet e realizuara, projektet në zhvillim dhe ndërhyrjet e planifikuara për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e turizmit. Gjatë takimit me banorët, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, prezantoi punën e bërë në zonë, me fokus të veçantë te turizmi liqenor dhe sportet e aventurës, si dhe te ndërtimi i aksit të ri rrugor Dopaj–Branesh.
Funari po zhvillohet gjithnjë e më shumë si një destinacion për turizmin e aventurës, falë investimeve të Bashkisë Elbasan dhe projekteve të mbështetura nga Bashkimi Evropian.
Pas përfundimit të Info Point-it dhe pistës së parashutizmit, po punohet për krijimin e një këndi aventurash dhe hapësirave të dedikuara për vizitorët, të cilat do të mbështesin aktivitetet sportive dhe turistike në zonën e liqenit, përfshirë përdorimin e kanoeve. Këto ndërhyrje janë pjesë e bashkëpunimit ndërkufitar me Bashkinë e Krushevës në Maqedoninë e Veriut, përmes programeve IPA, ku pas përfundimit të projektit të parë, puna vijon me një projekt të dytë që synon zgjerimin e mundësive për turizmin e aventurës dhe krijimin e hapësirave rekreative për fëmijët dhe të rinjtë.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm për Funarin është aksi i ri rrugor Dopaj–Branesh, për të cilin është hapur rruga ligjore e ndërtimit. Sipas kryetarit të Bashkisë, së shpejti pritet të nisë loti i parë i punimeve deri te gurorja, për të vijuar më pas me lotin e dytë deri në Branesh.
Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm aksesueshmërinë e zonës, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe duke e afruar Funarin më shumë me Elbasanin dhe Tiranën.
Duke vënë në dukje rëndësinë e këtyre investimeve, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se vëmendja ndaj Funarit do të vijojë të jetë pjesë e angazhimit të Bashkisë për zhvillimin e çdo njësie administrative.
“Ne kemi bërë dhe po vijojmë të bëjmë investime të rëndësishme në Funar, veçanërisht për zhvillimin e turizmit dhe krijimin e mundësive të reja për vizitorët. Projektet me fondet e Bashkimit Evropian po na ndihmojnë të ndërtojmë hapësira që i shërbejnë turizmit të aventurës dhe atij liqenor. Një tjetër investim shumë i rëndësishëm është rruga Dopaj–Branesh, e cila është pritur prej kohësh nga banorët dhe do të sjellë një ndryshim të madh në aksesueshmërinë e zonës. Vëmendja jonë për Funarin ka qenë dhe do të mbetet e vazhdueshme, sepse synimi ynë është të përmirësojmë cilësinë e jetës së banorëve në çdo fshat të Elbasanit”, theksoi Llatja.
Përmes buxhetimit me pjesëmarrje, Bashkia Elbasan vijon të ndajë me banorët investimet e realizuara dhe projektet në proces, duke dëgjuar problematikat dhe propozimet e tyre për ndërhyrjet e ardhshme.
Takimi në Funar shërbeu gjithashtu për të diskutuar nevojat e zonës dhe për të përcaktuar së bashku prioritetet që do të orientohen drejt zhvillimit të mëtejshëm të saj.