Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, vizitë në Bashkinë Elbasan
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, priti sot në ambientet e Bashkisë Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Sofia Moreira de Sousa.
Gjatë takimit u diskutua mbi rolin kyç të pushtetit vendor në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe angazhimin e Elbasanit në programin “Horizon Europe” dhe projekte të tjera të financuara nga BE-ja.
Këto programe përbëjnë mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve vendore dhe zhvillimin ekonomik e social, duke iu përgjigjur njëkohësisht sfidave mjedisore dhe nevojës për infrastrukturë të qëndrueshme.
Ambasadorja Moreira de Sousa e cilësoi takimin si një takim të frytshëm me Kryetarin e Bashkisë dhe ekipin e tij, duke vlerësuar rolin e bashkive në rrugëtimin evropian të vendit.
Ajo vlerësoi gjithashtu trashëgiminë e pasur kulturore të Elbasanit, duke theksuar se është një qytet ku ia vlen të rikthehesh.
Nga ana e tij, Kryetari Gledian Llatja falënderoi Ambasadoren për vizitën dhe vlerësimin e punës së Bashkisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian për të vijuar projektet që kontribuojnë në zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së komunitetit.