Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

“Dhaskal Todri”, mes teknologjisë, historisë dhe ambienteve moderne

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, së bashku me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe drejtoreshën e ZVA Elbasan, Vesa Llanaj Lico, vizituan gjimnazin, ku u njohën nga afër me investimet dhe risitë e sjella në këtë institucion arsimor.

Vizita nisi në palestrën e rikonstruktuar të shkollës dhe vijoi në bibliotekën dixhitale, ku nxënësit kanë mundësi të aksesojnë online libra përmes website-it të “Dhaskal Todrit”. Një tjetër hapësirë e veçantë është Muzeu i Shkollës, ku përmes fotografive, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme përcillet historia e institucionit ndër breza, aktivitetet e zhvilluara ndër vite dhe kujtimet e nxënësve e mësuesve.

Gjatë vizitës u panë gjithashtu ambientet sportive të jashtme, ndërsa në klasën dixhitale ministrja Kumbaro zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit për mënyrën se si teknologjia po integrohet në procesin mësimor.

Në fokus ishte edhe bashkëpunimi mes shkollës, mësuesve dhe prindërve, si një element i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit edukativ dhe krijimin e një mjedisi sa më të përshtatshëm për nxënësit.

Me 607 nxënës, gjimnazi “Dhaskal Todri” ofron tashmë klasa të reja, laboratorë të shkencave, bibliotekë, muze dhe ambiente sportive, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e njohurive, prirjeve dhe talenteve të të rinjve.

Shkolla është gjithashtu pjesë e programit “Pas Shkolle” dhe synon të jetë e hapur edhe për komunitetin përtej orarit mësimor, përmes aktiviteteve sportive, kulturore dhe edukative për nxënësit dhe familjet.