Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2026

THU’JE në Elbasan, bashkë për demokracinë dhe paqen

Në kuadër të përgatitjeve për THU’JE – Platforma për Demokraci dhe Paqe, që do të zhvillohet në Elbasan më 28–30 tetor 2026, në bashkinë Elbasan u  zhvillua një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e angazhimit të OSHC-ve në këtë platformë, aktivitetet që do të zhvillohen gjatë tri ditëve, si dhe mënyrën se si secila organizatë mund të kontribuojë me ide, iniciativa dhe aktivitete konkrete.

THU’JE synon të ndërtohet si një platformë e hapur dhe gjithëpërfshirëse, ku institucionet, organizatat e shoqërisë civile, të rinjtë, partnerët vendas dhe ndërkombëtarë të krijojnë hapësira për dialog, pjesëmarrje qytetare, bashkëpunim dhe shkëmbim eksperiencash.

Takimi shërbeu për të koordinuar hapat e mëtejshëm dhe për të ndërtuar së bashku një program sa më të larmishëm dhe përfaqësues.

28–30 tetor 2026 | Elbasan

THU’JE – sepse demokracia fillon nga pjesëmarrja dhe dialogu.

Kulturë, sport dhe më shumë mundësi për të rinjtë në sezonin e ri

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës së Artit, Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan, Artin Kovaçi, zhvilluan një takim me ekipin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kulturës dhe Sportit, në prag të nisjes së sezonit të ri të aktiviteteve.

Gjatë takimit u analizua puna e realizuar deri tani, rezultatet e arritura dhe objektivat për muajt në vijim, me vëmendje të veçantë te zhvillimi i sportit, kampionatet dhe rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në aktivitetet sportive.

Një nga prioritetet do të jetë forcimi i bashkëpunimit me shkollat, zgjerimi i klubeve sportive dhe krijimi i më shumë mundësive për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja.

Krahas sportit, Bashkia Elbasan do të vijojë edhe me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore, promovimin e vlerave dhe potencialeve të qytetit, si dhe përgatitjet në kuadër të kandidaturës së Elbasanit për “European City of Sport 2027”.

Qëllimi është që kultura dhe sporti të jenë gjithnjë e më shumë pjesë e jetës së qytetit, duke krijuar hapësira dhe mundësi të reja për fëmijët, të rinjtë dhe komunitetin.

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, mbështetje e re për sipërmarrësit në Elbasan

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi, kanë prezantuar në Mjekës paketën e re mbështetëse të Qeverisë Shqiptare, “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke sjellë në vëmendje mundësitë konkrete që kjo nismë krijon për bizneset që synojnë të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre.

Gjatë vizitës në biznesin e Ardjan Arapit, u prezantua edhe një histori konkrete suksesi dhe rikthimi. I rikthyer nga emigracioni në vitin 2010, Arapi zgjodhi të ndërtonte të ardhmen në vendin e tij, duke nisur aktivitetin në përpunimin e hekurit dhe prodhimin e kaldajave. Përmes punës dhe këmbënguljes, aktiviteti i tij është zgjeruar ndër vite dhe sot ai ka investuar në një kapanon të ri, me synimin për ta rritur më tej biznesin.

Paketa “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të mbështesë sipërmarrësit që duan të zgjerojnë aktivitetin, të rrisin kapacitetet prodhuese, të modernizojnë teknologjinë dhe të krijojnë vende të reja pune.

Gjatë takimit, Llatja dhe Kushi theksuan rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjes dhe të krijimit të kushteve që bizneset lokale të investojnë, të zhvillohen dhe të gjenerojnë më shumë punësim.

Bashkia Elbasan do të vijojë të ofrojë asistencën institucionale për sipërmarrësit, duke lehtësuar procedurat dhe duke mbështetur nismat që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe zonave përreth.

Në çdo shkollë e kopsht, bashkë për një vit të ri shkollor të sigurt

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, Bashkia Elbasan ka intensifikuar përgatitjet për të garantuar një fillim sa më të mbarë, të sigurt dhe cilësor për të gjithë nxënësit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar takime në shkolla dhe kopshte të qytetit dhe njësive administrative, duke u njohur nga afër me masat e marra dhe nevojat e fundit përpara nisjes së procesit mësimor. Në takime kanë qenë të pranishëm drejtues shkollash, mësues, prindër, oficerë sigurie dhe aktorë të tjerë të përfshirë në mbarëvajtjen e institucioneve arsimore.

Në fokus të diskutimeve kanë qenë siguria e fëmijëve, pastërtia dhe mirëmbajtja e ambienteve, gjendja e rrugëve dhe sinjalistika pranë shkollave, si dhe masat për parandalimin e bullizmit dhe çdo forme dhune. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për fëmijët me aftësi ndryshe.

Ky shtator sjell edhe investime të rëndësishme në infrastrukturën arsimore. Shkollat “Dhaskal Todri” dhe “Shushicë” hapin dyert në godinat e rikonstruktuara, ndërsa Shkolla Speciale “Zëra Jete” mirëpret nxënësit në ambiente të reja dhe bashkëkohore. Ndërkohë, vijon puna për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Naim Frashëri”.

Një tjetër risi për këtë vit është zbatimi në 15 shkolla të Bashkisë Elbasan i programit të Ministrisë së Arsimit “Pas Shkolle”. Përmes këtij programi, nxënësit do të kenë mundësi të kryejnë detyrat e shtëpisë dhe të angazhohen në aktivitete jashtëshkollore, si muzika, teatri, kërcimi, zejet, piktura dhe sporti.

Programi synon t’u krijojë fëmijëve më shumë mundësi për të zhvilluar talentet, aftësitë krijuese dhe sportive, duke e kthyer kohën pas mësimit në një hapësirë për të mësuar, socializuar dhe zhvilluar më tej.

Me ndërhyrjet në infrastrukturë, masat për sigurinë dhe mirëmbajtjen, si dhe programet e reja për nxënësit, Bashkia Elbasan synon që dita e parë e shkollës të gjejë gati çdo institucion arsimor, nga qendra e qytetit deri në njësitë administrative, për një vit të ri shkollor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe plot suksese.

Elbasani  pilotohet modeli i mikrofinancës “Grameen Impact Albania”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka pritur në ambientet e bashkisë Drejtorin Ekzekutiv të Grameen Impact Albania, z. Abul Kalam, së bashku me përfaqësuesit e AADF-së, z. Marin Shtylla dhe z. Skevi Paralloj.

Gjatë takimit u diskutua mbi projektin “Grameen Impact Albania”, i cili do të pilotohet në Elbasan dhe synon të krijojë mundësi të reja financimi për sipërmarrësit dhe grupet që kanë akses më të kufizuar në shërbimet financiare.

Projekti bazohet në modelin e mikrofinancës të zhvilluar nga laureati i Çmimit Nobel, Muhammad Yunus, duke ofruar kredi të vogla pa kolateral dhe duke synuar fuqizimin ekonomik të individëve që përballen me barriera në aksesin ndaj financimit.

Një fokus i veçantë i programit do të jetë nxitja e sipërmarrjes dhe përfshirja financiare e grave dhe grupeve të margjinalizuara, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e ideve dhe bizneseve të reja.

Bashkia Elbasan synon që përmes këtij programi të mbështesë krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe fuqizimin e sipërmarrjes në komunitet.

Kompleksi Sportiv “Shefqet Lamçja” me kushte të përmirësuara për sportistët dhe talentet e reja

Kompleksi Sportiv “Shefqet Lamçja” në Elbasan tashmë ofron kushte tërësisht të përmirësuara për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe veçanërisht për stërvitjen e futbollistëve të rinj.

Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, ka përfunduar rikonstruksioni i fushës me bar natyral, ndërsa janë përmirësuar edhe ambientet e kompleksit, duke krijuar kushte më moderne dhe funksionale për stërvitje dhe zhvillimin e futbollit.

Në këtë kompleks stërviten çdo ditë mbi 300 fëmijë, të grupmoshave U-7 deri në U-19, krahas ekipit të të rriturve. Investimi krijon një mjedis më të përshtatshëm për formimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, duke i dhënë më shumë mundësi të rinjve që të angazhohen në sport.

Përmirësimi i infrastrukturës sportive në “Shefqet Lamçja” është një tjetër hap në funksion të zhvillimit të sportit në Elbasan, ndërsa njëkohësisht kontribuon në përgatitjen e qytetit për të pritur aktivitetet e Kampionatit Europian U-21, Shqipëri 2027.