Kulturë, sport dhe më shumë mundësi për të rinjtë në sezonin e ri
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës së Artit, Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan, Artin Kovaçi, zhvilluan një takim me ekipin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kulturës dhe Sportit, në prag të nisjes së sezonit të ri të aktiviteteve.
Gjatë takimit u analizua puna e realizuar deri tani, rezultatet e arritura dhe objektivat për muajt në vijim, me vëmendje të veçantë te zhvillimi i sportit, kampionatet dhe rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në aktivitetet sportive.
Një nga prioritetet do të jetë forcimi i bashkëpunimit me shkollat, zgjerimi i klubeve sportive dhe krijimi i më shumë mundësive për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja.
Krahas sportit, Bashkia Elbasan do të vijojë edhe me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore, promovimin e vlerave dhe potencialeve të qytetit, si dhe përgatitjet në kuadër të kandidaturës së Elbasanit për “European City of Sport 2027”.
Qëllimi është që kultura dhe sporti të jenë gjithnjë e më shumë pjesë e jetës së qytetit, duke krijuar hapësira dhe mundësi të reja për fëmijët, të rinjtë dhe komunitetin.