CliMobility City Lab Elbasan, hapet thirrja për ide inovative për mobilitet të qëndrueshëm dhe klimën
Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me GIZ Albania, në kuadër të thirrjes CliMobility City Lab Elbasan, zhvilloi sesionin informues, gjatë të cilit u prezantua programi, procesi i aplikimit, kriteret e pjesëmarrjes dhe fazat kryesore të tij. Ky program inovativ synon të nxisë zhvillimin e zgjidhjeve të reja dhe kreative për sfidat e mobilitetit urban dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në qytetin e Elbasanit, përmes pilotimit të ndërhyrjeve të qëndrueshme dhe rezistente në fushën e mobilitetit. Si i vetmi qytet shqiptar pjesëmarrës në iniciativën e BE-së “100 Qytete Neutrale ndaj Klimës dhe të Zgjuara deri në vitin 2030” (“Cities Mission”), Elbasani është angazhuar për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2030. Ky program mbështet drejtpërdrejt këtë ambicie.
Programi fton të rinj, profesionistë, studentë, ekipe multidisiplinare dhe aktorë të tjerë të interesuar, të cilët do të kenë mundësinë të zhvillojnë ide dhe zgjidhje inovative që kontribuojnë në krijimin e një qyteti më të aksesueshëm, të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe rezistent ndaj ndryshimeve klimatike.
Në kuadër të hapjes së Thirrjes për Aplikime, ju ftojmë të aplikoni sipas linkut https://albict.al/climobility-city-lab-elbasan/
Afati i aplikimit është i hapur deri në datën 10 tetor 2026