Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Nisin punimet për Parkun e Aventurave dhe hapësirat e parkimit në Funar

Në kuadër të projektit “Krushevë dhe Elbasan – Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë” (KET-J), i financuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit IPA III për Bashkëpunim Ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, kanë nisur punimet për realizimin e Parkut të Aventurave dhe hapësirave të parkimit. Në këtë fazë të parë janë ndërmarrë punimet paraprake të nevojshme për përgatitjen dhe sistemimin e territorit, në përputhje me projektin teknik.

Spostimi i linjës elektrike 20 kV
Një nga ndërhyrjet e para ka qenë spostimi i linjës elektrike 20 kV, e cila kalonte në gjurmën e parashikuar për zhvillimin e projektit. Spostimi i linjës është kryer me qëllim lirimin e gjurmës së projektit, garantimin e sigurisë gjatë zbatimit të punimeve dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për realizimin e infrastrukturës së parashikuar.
Pastrimi dhe përgatitja e terrenit
Paralelisht, kanë filluar punimet për pastrimin dhe përgatitjen e sipërfaqes së terrenit. Këto punime përfshijnë heqjen e shtresës vegjetale dhe bimore, shtresës humusore, si dhe materialeve të papërshtatshme sipërfaqësore, përfshirë baltën, në të gjithë sipërfaqen e parashikuar për zhvillimin e Parkut të Aventurave dhe parkingut.
Këto ndërhyrje përbëjnë fazën fillestare të përgatitjes së kantierit dhe synojnë krijimin e një bazamenti të pastër, të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm për vijimin e punimeve të mëtejshme, sipas parametrave dhe kërkesave të projektit teknik.
Hapi tjetër: Pas përfundimit të këtyre punimeve paraprake, do të vijojë faza e sistemimit dhe përgatitjes së terrenit për realizimin e strukturave, ambienteve të Parkut të Aventurave dhe infrastrukturës së parkingut.