Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

LLATJA/ MË SHUMË SIPËRFAQE TË GJELBËRTA DHE MBËSHTETJE BIZNESIT NË PRAG TË SEZONIT NË LLIXHAT KURATIVE

Llixhat e Elbasanit të cilat bartin vlerën e turizmit dhe atë kurative, tashmë janë në prag të sezonit turistik dhe kurativ.

Edhe pse gjatë të gjithë vitit Llixhat e Elbasanit janë të vizitueshme nga pacientë jo vetëm nga shqipëria por edhe Kosova e Maqedonia, bashkia e Elbasanit prej vitesh i ka dhënë një rëndësi të vecantë investimeve në këtë zonë.

Vetëm ditën e sotme, vetë kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja bashkë me kryepleq të fshatrave të njësisë administrative Tregan kanë mbjellë 50 fidanë të rinj, me qëllim shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta në mënyrë sistematike në këtë zonë.

Duke pasur si motiv kryesor kujdesin ndaj hapësirave publike si edhe mbështetjen e bizneseve për një infrastrukturë më të mirë në këtë zonë, kreu i bashkisë z. Llatja pohon se “po bëhemi gati për të filluar sezonin turistik në Llixhat e Elbasanit, në ujërat termalë, ku turizmi kurativ ka pasur një rritje vitet e fundit, ndaj edhe parashikojmë që edhe këtë vit të kemi një numur të madh turistësh në këtë zone”.

Nuk bëhet fjalë vetëm për shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta në Llixhan kurative, por edhe për mirëmbajtjen e hapësirave publike, si edhe mbështetjen e bizneseve për problematikat e vogla që ato mund të kenë në infrastrukturë.

“Ky vit parashikohet të jetë i mirë, presim një numur të lartë turistësh, gjithashtu kemi pasur investime të shtuara gjatë kësaj përiudhe, por ajo që është më kryesorja, të ofrojmë një sezon turistik sa më të mirë për të gjithë turistët.

Në bashkëpunim edhe me shërbimet e tjera ashtu siç janë edhe me drejtoritë rajonale, ajo e Shëndetit Publik, janë marrë të gjitha masat që të kemi një shërbim të shtuar jo vetëm të qendrës shëndetësore, por edhe të shërbimeve të tjera në këtë zone, shton Llatja.

Ndaj ditën e sotme bashkë me stafin e njësisë administrative dhe me disa kryepleq të fshtatrave të Treganit janë mbjellë 50 pemë të reja në zonën e Treganit.

Ky është një aksion i cili vazhdon ditë pas dite, nuk ka qenë as i pari nuk është as i fundit, shtimi i sipërfaqeve të gjelbërta vazhdon me mbjellje në qytet por edhe në të gjitha zonat tona rurale.

Ndërtuar mes kodrave dushkore e pishave të buta, me rrugë automobilistike, me një liqen të madh artificial pas kodrës së Treganit, Llixhat njihen si zona kurative e shumë sëmundjeve, reumatizmale, artroza, sëmundje të sistemit nervor, gjinekologjik, enëve të gjakut, aparatit tretës, etj.

Që nga koha kur të parët njohën vlerat kurative të këtij uji që del i nxehtë nga malet, nevoja për të ka ardhur deri në ditët tona ku për fat, sasitë e ujit nuk kanë shteruar kurrë. “Mosha” e ujërave termale llogaritet në rreth 5 shekuj, por vetëm në shekullin e XX-të mund të thuhet se shfrytëzimi kurativ i zonës nisi të hyjë në rrugën e shkencës mjekësore.

 Njihen vitet 1910- 1915 kur specialistët austriakë, të cilët erdhën pas ushtrive pushtuese të vendit, themeluan këtë qendër kurative dhe turistike.