Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Manastiri i Shën Joan Vladimirit, pelegrinazh për Ditën e Shën Joan Vladimirit

Në fshatin Shijon të Elbasanit, sot u zhvillua pelegrinazhi tradicional për nder të Shën Joan Vladimirit, ku morën pjesë qindra besimtarë nga Shqipëria dhe vendet fqinje të Ballkanit. Manastiri i Shën Joan Vladimirit është kthyer në një qendër të rëndësishme fetare dhe kulturore, duke mirëpritur gjithnjë e më shumë besimtarë vit pas viti.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputetët e Partisë Socialiste, ishin të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm fetar dhe kulturor.

Kryetari Llatja u shpreh se kjo festë është një simbol i harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare.
“Çdo vit, Shën Joan Vladimiri na bashkon të gjithëve. Këto aktivitete dhe lidhjet historike që kanë pasur popujt tanë me figurat e krishtërimit na bashkojnë dhe forcojnë miqësinë mes vendeve të Ballkanit,” tha ai.

Deputetja Aulona Bylykbashi përcolli një urim të përzemërt për të gjithë besimtarët, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për forcimin e harmonisë dhe bashkëpunimit:
“Uroj të gjithë besimtarëve një festë të bekuar dhe sa më shumë harmoni mes njerëzve. Kjo ngjarje na bashkon dhe na kujton vlerat më të larta shpirtërore,” u shpreh ajo.

Festa e Shën Joan Vladimirit, që përkujton martirizimin e shenjtorit në shekullin XI, bashkon besimtarë nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia, duke e kthyer Manastirin e Shën Joan Vladimirit në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi dhe respekti ndërfetare. Numri i besimtarëve që marrin pjesë në këtë pelegrinazh është rritur nga viti në vit, duke e bërë këtë festë gjithnjë e më të madhe dhe më të dashur për të gjithë.

Kjo traditë, që daton që nga vitet 1010–1020, i ka mbijetuar kohës, duke u ruajtur me përkushtim nga banorët e fshatit Shijon dhe duke i bërë ata krenarë për trashëgiminë që mbajnë.