“Marshim për Jetën” në Elbasan, në përmbyllje të “Tetorit Rozë”
Në përmbyllje të aktiviteteve të zhvilluara gjatë “Tetorit Rozë”, muajit të ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit, Bashkia Elbasan organizoi sot aktivitetin sensibilizues “Marshim për Jetën”.
Ky marshim kishte si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit shëndetësor për gratë, si dhe përçimin e mesazheve të forcës, shpresës dhe solidaritetit me gratë dhe vajzat që përballen me këtë sëmundje.
Marshimi nisi nga Teatri “Skampa” dhe përfundoi në Sheshin “Gensher”, nën moton “Gratë për Gratë”, duke bashkuar qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere që iu bashkuan kësaj nisme sensibilizuese. Marshimit iu bashkuan edhe deputetet Sara Mila dhe Evis Kushi.
Në fjalën e saj, Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, znj. Klaudja Krasnika, theksoi rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i komunitetit për kujdesin shëndetësor të grave dhe diagnostikimin e hershëm. “Ky marshim është një mesazh solidariteti dhe shprese. Është një kujtesë për çdo grua që kujdesi dhe kontrolli i hershëm shpëton jetë. Bashkia Elbasan do të vazhdojë të jetë pranë çdo nisme që promovon shëndetin dhe mirëqenien e grave në komunitetin tonë.”
Ky aktivitet u organizua nga Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Elbasan, Zyrën Arsimore Elbasan, Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, Zyrën e Punës, Shërbimin Social, si dhe me mbështetjen e organizatave partnere World Vision, AKPA, OSH KSH, Forumi i Gruas Elbasan, Yjet e Ardhmërisë dhe aktorë të tjerë lokalë.
Përmes këtij marshimi simbolik, Bashkia Elbasan përcolli mesazhin e përkushtimit të saj ndaj shëndetit të grave dhe nxitjes së komunitetit për të qenë më i vetëdijshëm, më solidar dhe më aktiv në mbështetje të jetës.