Mbjellje pemësh dhe edukim mjedisor në shkollën “Ali Agjahu”
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Aulona Bylykbashi, iu bashkuan sot nismës për shtimin e pemëve dhe zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra në institucionet arsimore, në shkollën “Ali Agjahu”.
Në bashkëpunim me nxënësit dhe stafin mësimor, u mbollën rreth 30 pemë në oborrin e shkollës, duke kontribuar në përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e hapësirave më të shëndetshme për fëmijët.
Gjithashtu, me nxënësit e klasave të para dhe parashkollorit u zhvillua një orë edukimi mjedisor, ku u diskutua mbi kujdesin ndaj luleve dekorative, rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe rolin që secili mund të luajë në ruajtjen e mjedisit.
Aktivitete të tilla në shkolla vlerësohen si tepër të rëndësishme për formimin e brezave të rinj dhe rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor që në moshë të vogël, duke kontribuar në ndërtimin e një Elbasani më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.