Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Mblidhet Këshilli Vendor i Sigurisë Publike!

Këshilli Vendor i Sigurisë në Elbasan zhvilloi mbledhjen e tij të parë për vitin 2022, për të bërë një analizë të punës së deritanishme dhe për të parashtruar sfidat me të cilat përballet shoqëria përsa i përket çështjeve të sigurisë. Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë, Z. Gledian Llatja, pohoi se : Këshilli Vendor i Sigurisë Publike, synon përmirësimin më tej drejt realizimit të një jetë më të mirë veçanërisht për fëmijët tanë, të cilët janë më të prekur nga probleme të ndryshme sociale. Qëllimi ynë është të planifikojmë,  veprojmë për probleme të ndryshme që cënojnë rendin dhe sigurinë e qytetit tonë. Sëbashku do  të diskutojmë rreth hapave që duhet të ndërrmarim në fushën e parandalimit dhe trajtimit të abuzimit të substancave narkotike, si edhe trajtimit të rasteve të fëmijëve me situate problematike. Abuzimet me drogën dhe alkoolin është një ndër shkaqet e abuzimit ndaj grave dhe fëmijëve. Këto forma abuzimi nuk mund të trajtohen të izoluara nga njëra tjetra. Ndaj është e përshtatshme që këtë nismë që kemi nisur sot, ta vazhdojmë gjatë të gjithë vitit. Të gjithë së bashku të bashkojmë forcat dhe kapacitetet për këtë përpjekje fisnike. Të qënit të ashpër ndaj autorëve të krimit është një nga anët e medaljes. Ana tjetër e saj është të identifikojmë shkaqet që çojnë në këto probleme. Sot ne kemi nevojë që të përmirësojmë dhe forcojmë modelet që ndikojnë në përmirësimin e identitietit të këtyre faktorëve që parashikojnë shkallën e konsumit të lëndëve narkotike si edhe situatën e fëmijëve në situatë rruge brenda të gjithë territorit të Bashkisë Elbasan. Me rëndësi është edhe  mirëfunksionimi i Mekanizmit të Koordinimit dhe Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje, në Bashkinë Elbasan. Ky mekanizëm ka dhënë një mesazh të qartë se adresimi i çështjeve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje është prioritet dhe detyrim ligjor për të gjitha institucionet në nivel vendor. 

Janë një sërë hapash që duhet të ndërrmarim në terma afatshkurtër dhe afatgjatë.  

Realizimi i nivelit të rrezikut të përfshirjes së të rinjve në abuzimin e lëndëve narkotike, është e natyrshme të marrim natyrën dhe shtrirjen e modeleve të tendencave të abuzimit të lëndëve narkotike. Të kuptojmë kulturën e komunikimit dhe si ajo kulturë ndikon dhe ndikohet nga abuzuesit me abuzimin me drogën. Të konsultohemi me liderët e komuniteteve dhe Organizatat e Shoqërisë Civile, të cilat punojnë për parandalimin e abuzimit me drogën, shendetin mendor, dhe fusha të ngjashme me këto. Ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e komunitetit për problemet. Të identifikojmë probleme të ndryshme shoqërore . Të identifikojmë përpjekjet egzistuese, parandaluese që janë duke u zhvilluar për të adresuar problemin. Sa i përket trajtimit të rasteve të fëmijëve në situatë rruge, ne kemi menaxhuar dhe kemi zgjidhur problematikat e fëmijëve në rrugë, si edhe familjet e tyre, duke i siguruar pa pagesë kopshtet dhe çerdhet, por kemi siguruar edhe bonusin e qerasë për familjet në nevojë, me ndihmën e biznesit dhe Dhomës së Tregëtisë kemi siguruar punë, për ato punëkërkues. Sa i përket trajtimit të rasteve të fëmijëve, duhet të përmend angazhimin maksimal dhe marrjen e përgjegjësive për trajtimin e rasteve të fëmijëve në situatë rruge. Sa i përket konsumimit të lëndëve narkotike, kemi ngritur strukturat komunitare, duke angazhuar edhe kryepleqtë e lagjeve, kemi pasur një ndihmë shumë të madhe të Shoqërisë Civile, dhe OJQ, por përsëri është e nevojshme që ndërlidhësit tanë komunitarë të kenë një pasqyrë të qartë të terrenit të banorëve që jetojnë në terren por edhe problematikat e ndryshme që mund të kenë banorët. Me qëllim ngritjen e një strategjie të qartë  se si ne do të vijojmë gjatë vitit 2022 por edhe në të ardhmen. E rëndësishme është që ne të identifikojmë dhe marrim masat për këtë fenomen. Është detyra jonë themelore, që të parandalojmë dhe të kuptojmë fenomenet pse të rinjtë  tanë shkojnë drejt këtyre veseve. Ne si institucion nuk mund të jemi indiferentë ndaj këtyre fenomeneve. Në takimin e Këshillit Vendor për Sigurinë Publike u prezantua projekti i qeverisë Britanike i cili do të zbatohet në partneritet midis Bashkisë Elbasan dhe grupi Palladium, me qendër në Londër. Ky projekt synon parandalimin e angazhimit të të rinjve në krimin e organizuar, ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe anëtarëve të KVSP-së si edhe zhvillimin e përforcimin e partneriteteve të mëtejshme. Në zbatim të VKM Nr. 327, datë 2.6.2021 “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, si dhe procedimin e tij për mbështetjen e rehabilitimin e viktimave të dhunës” nënshkruam, së bashku me të gjithë anëtarët e mekanizmit, marrëveshjen e bashkëpunimit.