Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Me sallën e re, “Onufri” bëhet qendër e artit dhe komunitetit në Elbasan

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e ZVA-së Vesa Liço, kanë inspektuar punimet e sallës së koncerteve në shkollën artistike “Onufri”.

Drejtori i shkollës, Ilir Zdrava, pohoi se punimet po ecin me ritme shumë të shpejta dhe se stafi është i kënaqur me këtë investim. Ambientet janë projektuar me parametra cilësorë që kërkon një sallë e tillë, duke përfshirë jo vetëm akustikën, por edhe kushtet për performancë artistike profesionale, ç’ka krijon një mundësi shumë të mirë për zhvillimin e aktiviteteve.

Skena është llogaritur për një orkestër simfonike mesatare, duke krijuar mundësi që të shfrytëzohet jo vetëm nga shkolla, por edhe nga qyteti. Ajo përfshin edhe një paraskenë, duke marrë parasysh faktin se shkolla “Onufri” ka disa lloje formacionesh, të cilat do të kenë fleksibilitet në performancat e tyre.

Parashikohet që punimet për sallën të përfundojnë brenda 10 ditësh.

Kryetari i Bashkisë tha se me sallën e re po përgatiten për festën e fëmijëve më 1 qershor në shkollën “Onufri”.

Ai shtoi se pas rikonstruksionit total që u realizua, në shkollë u krijua nevoja për mjetet përkatëse didaktike, por edhe për një sallë multifunksionale që shërben për aktivitete të ndryshme të nxënësve.

Llatja theksoi se të gjitha projektet e shkollave të reja përfshijnë një sallë multifunksionale, që shërben jo vetëm për nxënësit, por edhe për takime me prindër dhe komunitetin.

Salla e re po përshtatet me investimin e Bashkisë së Elbasanit, bazuar mbi kërkesat e shkollës, dhe pritet që në fillim të majit të jetë e gatshme për përdorim, duke plotësuar të gjitha nevojat e shkollës.

Me këtë investim, shkolla artistike “Onufri” plotëson gjerdanin e saj, duke u bërë një qendër e përbashkët për edukim, art dhe komunitet, ka shtuar Kryetari i Bashkisë.