Miho Gjini promovon “Brezi i tretë i aktrimit”, një dëshmi për trashëgiminë e skenës shqiptare
Në ditën e fundit të Festivalit Teatror Ndërkombëtar “Skampa Extension”, në Bibliotekën “Qemal Baholli” u promovua libri më i ri i shkrimtarit dhe kritikut të njohur të artit Miho Gjini, me titull “Brezi i tretë i aktrimit”.
Një vepër që ruan kujtesën e skenës shqiptare dhe përcjell ndriçimin te brezat që vijnë, një homazh i rrallë për 25 artistë të rinj të skenës dhe ekranit, yje të brezit të tretë në qiellin e aktrimit shqiptar.
Pas 65 vitesh në shërbim të artit, Miho Gjini sjell librin e tij të 38-të, si një dëshmi dashurie, përkushtimi dhe mirënjohjeje për magjinë e quajtur Teatër.
Miho Gjini, një nga kritikët më të vlerësuar të artit shqiptar, veçanërisht në skenën e teatrit dhe ekranit, lindi më 20 mars 1938 në fshatin Piqeras të Himarës, ku kreu dhe shkollën fillore.
Më pas, ai ndoqi studimet në Tiranë, në Politeknikumin “7 Nëntori”, duke u specializuar si teknik rongeni dhe ushtruar këtë profesion në Spitalin Civil të Gjirokastrës.
Studimet e larta i përfundoi në Shkollën e Lartë të Aktorëve, ku u diplomua si aktor dhe regjisor, me specializim në kritikë teatri.
Ai u emërua drejtor dhe regjisor i Teatrit Profesionist “Skampa” të Elbasanit, ku realizoi dy shfaqje të rëndësishme: dramën “Justina” dhe komedinë “Kutia prej argjendi”.
Pas tre vitesh, Miho Gjini mori detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Teatrove dhe Estradave të Republikës, duke kontribuar njëkohësisht edhe si pedagog i jashtëm në Institutin e Artevepër 12 vite.