Ndërhyrje rrënjësore në Përroin e Gurrës, parandalojmë përmbytjet
Përroi i Gurrës në Shushicë po i nënshtrohet një operacioni pastrimi dhe përforcimi nga Agjencia e Shërbimeve Publike Rurale (ASHPR). Ky përrua, me një gjatësi prej 3 kilometrash, ka qenë burim problemesh për shkak të prurjeve të mëdha me materiale inerte dhe argjile gjatë shirave.
Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja theksoi se ” tani po realizojmë një ndërhyrje rrënjësore me ndërmarrjen e punëve publike. Ne jemi koshientë që këtu duhet të hiqen 50 mijë metra kub material inerte që kanë ardhur nga zonat malore, sipër fshatit të vjetër të Shushicës. Ndaj këtë vit kemi ndërhyrë aty me një projekt për sistemimin e përrejve të vegjël malorë, në mënyrë që prurjet inerte të kufizohen rrugës dhe të mos zbresin të gjitha në përruan e Shushicës. Tani po mbjellim edhe 8500 pemë në zonën sipër dhe masat e ndërmarra për ndalimin e erozionit besojmë se do t’i japin zgjidhje problematikës që Gurra na ka dhënë gjithnjë.
Sakaq, pas dore nuk kemi lënë edhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe jam i bindur se bashkë me forcimin e argjinaturës anësore të përroit të Gurrës, do të sigurojmë që të mos kemi përmbytje në zonën e banesave që ndodhen poshtë ose afër lumit Shkumbin. Puna po vazhdon; ne jemi gati në 3 kilometra”.
Desantila Tahiraj deputete e zonës e cilësoi Gurrën si një përrua të rrezikshëm, duke theksuar se ” kjo është edhe arsyeja që Bashkia Elbasan po merr të gjitha masat në kohë, në mënyrë që përroi të mos përbëjë rrezik për banorët e zonës.”
Ekipet e ASHPR-së po punojnë për përforcimin e argjinaturave në të dy krahët e përroit dhe riparimin e zonave të gërryera. Ndërhyrjet e përvitshme kanë bërë që përroi i Gurrës të mos shkaktojë dëme prej më shumë se 10 vitesh.
Pas përfundimit të këtij aksioni, do të pastrohen edhe përrojet e vegjël të zonës, si Përroi i Fosës dhe Shalthatës, duke siguruar mbrojtjen e tokave bujqësore dhe të banorëve të Shushicës.