Në Ditën e Trashëgimisë; Elbasani, mozaiku i arkitekturës dhe historisë
Në Ditën e Trashëgimisë Kulturore, me tematikë “Trashëgimia dhe arkitektura: dritaret drejt të kaluarës, portat drejt së ardhmes”, nxënësit e gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” zhvilluan vizita pranë disa prej ndërtesave më karakteristike në qendër të qytetit të Elbasanit, duke u njohur nga afër me vlerat arkitekturore dhe historike që mbart qyteti. Këto aktivitete organizohen nga Bashkia Elbasan, nën kujdesin e veçantë të kryetarit Gledian Llatja, i cili i ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Elbasani është një qytet që flet vetë për historinë dhe trashëgiminë e tij. Bazilika e Kodër Tepes, Bazilika Paleokristiane, Muzeu Etnografik, Kalaja e Elbasanit, Stacioni antik “Ad Quintum”, Hamami brenda Kalasë, të gjitha këto monumente dëshmojnë rrënjët e thella të qytetarisë shqiptare.
Një vend të veçantë zë edhe zona e Shpatit, ku ruhen ikonat e piktorit të madh Onufri në Kishën e Shelcanit, duke e bërë këtë krahinë një thesar shpirtëror e kulturor për mbarë kombin.
Trashëgimia e Elbasanit nuk përfaqësohet vetëm nga monumentet e mëdha, por edhe nga rrugicat e ngushta brenda Kalasë, ku historia bashkëjeton me përditshmërinë, si dhe nga kishat e xhamitë që ndodhen aty, duke i dhënë qytetit një mozaik të pasur kulturor e arkitekturor. Të gjitha këto elemente e bëjnë Elbasanin një qytet ku e shkuara dhe e ardhmja ndërthuren natyrshëm në çdo gur e çdo rrugicë.