Në terren për buxhetimin, Llatja e Mazniku ndajnë prioritetet me banorët.

Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Rajonin Nr. 5, ku një numër i madh banorësh u mblodhën për të ndjekur nga afër diskutimin dhe për t’u bërë pjesë aktive me mendimet dhe sugjerimet e tyre për investimet publike të vitit 2026.
Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja u shoqërua në këtë takim nga Drejtuesi Politik i PS për Qarkun, z. Arbjan Mazniku, Deputetja znj. Aulona Bylykbashi, Kryetarja eKëshillit të Qarkut, znj. Ermira Urupi, si dhe Kryetari i Njësisë Administrative, z. Agron Lulaj.
Takimi u mbajt në shkollën e rikonstruktuar “Fadil Gurmani”, e kthyer sot në një nga shkollat qendrore të qytetit me kushte bashkëkohore.
Duke marrë fjalën, znj. Ermira Urupi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe përfaqësuesve politikë në shërbim të qytetarëve, duke shprehur mbështetjen për nismat e Bashkisë që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës në çdo lagje të qytetit.
Ndërsa deputetja Aulona Bylykbashi u fokusua te rezultatet konkrete të investimeve të deritanishme në Rajonin Nr. 5.
“Pjesëmarrja juaj në buxhetim tregon që ka një besim të shtuar në këtë proces, ndaj kjo është një tregues pse pjesëmarrja juaj është në rritje.”
Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, falënderoi qytetarët për kontributin e tyre, ndërsa solli në vëmendje investimet kryesore të realizuara në zonë. Ai u ndal pikërisht te vendndodhja e takimit.
“Fadil Gurmani është një nga shkollat qendrore të qytetit, por nuk konsiderohej e tillë, konsiderohej si shkollë periferike. Sot një shkollë totalisht e rikonstruktuar, me staf fantastik arsimor, me terrene sportive të reja, afër universitetit dhe me standarde shumë të mira.”
Llatja shtoi se brenda këtij viti do të nisë puna për tre shkolla të tjera të rëndësishme, shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri”, gjimnazin kryesor të qytetit dhe shkollën e Shushicës.
Ai theksoi rikonstruksionin total të Çerdhes Nr. 2, si edhe hapjen e një çerdheje të re për të mbështetur familjet e reja të zonës. Gjithashtu, Llatja përmendi Qendrën Rinore të rikonstruktuar, kërkesë e dalë nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje.
Në fokus të punës së Bashkisë kanë qenë edhe infrastruktura rrugore, ujësjellësi dhe kanalizimet.
Nga ana e tij, z. Arbjan Mazniku përgëzoi ekipin drejtues të Bashkisë për punën dhe u shpreh se deputetët do të kenë në mënyrë permanente një prezencë në zyrë të paktën një herë në javë që t’ju japë secilit prej qytetarëve mundësinë të diskutojnë për një problem me deputetin, ashtu siç e ka kryetari i bashkisë çdo ditë të enjte.
Mazniku u ndal tek përmirësimi i dukshëm i qytetit, duke vlerësuar se “ Elbasani sot është shumë herë më i mirë se para tre vitesh, shumë herë më i mirë se para dhjetë vitesh dhe është e sigurt që pas një viti do të jetë një qytet më i mirë se është sot”.
Mazniku shtoi: “kemi një seri punësh të tjera të rëndësishme të cilat janë duke u bërë me mbështetjen e qeverisë”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet për të adresuar nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve.
Në përmbyllje të takimit, banorët e Rajonit Nr. 5 vlerësuan investimet e realizuara gjatë vitit të fundit dhe vijuan me votimin e prioriteteve të reja, të cilat do të kthehen në investime të prekshme gjatë vitit 2026.