Nis projekti “Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, Funari drejt transformimit si destinacion turistik

Falë bashkëpunimit ndërkufitar dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes programit IPA III CBC, ka nisur projekti “Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, që synon zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale në partneritet me Bashkinë e Krushevës në Maqedoninë e Veriut.
Në Bashkinë Elbasan, projekti do të zbatohet në zonën e Funarit, ku janë planifikuar ndërhyrje konkrete si, krijimi i një parku të ri aventurash dhe shtigjeve të shënuara drejt kanioneve të Dopajit, organizimi i trajnimeve për sipërmarrësit lokalë në turizëm të qëndrueshëm dhe ekonomi qarkulluese.
Promovimi i Funarit si destinacion i turizmit të aventurës në rajon, përmes eventeve gjatë gjithë vitit 2026. Funari do të kthehet në një nga destinacionet e aventurës dhe natyrës në Shqipëri në vitin 2026.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se ky projekt vijon transformimin e Funarit si destinacion i turizmit malor dhe aventurës, pas investimeve të mëparshme të IPA II CBC, të cilat përfshinin ndërtimin e Infopoint-it dhe pistës së parashutizmit.
Me këto investime të reja dhe përfshirjen në Paketën e Maleve, Funari pritet të ketë një rol të veçantë në zhvillimin e turizmit të aventurës në Shqipëri, duke sjellë më shumë vizitorë, zhvillim ekonomik dhe mundësi për komunitetin lokal në vitin 2026.