Një model për përfshirjen sociale: Elbasani finalizon projektin për fëmijët me nevoja të veçanta
Në Elbasan u përmbyll me shumë rezultate domethënëse projekti “Terapia e artit dhe muzikës për fëmijët me aftësi të kufizuara”, një nismë e Bashkisë Elbasan në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta, falë mbështetjes së GIZ, NALAS dhe Shoqatës Kombëtare të Bashkive.
Ky projekt i veçantë, që përfshiu një punë intensive disa mujore, solli trajnimin e 23 profesionistëve të fushës, 40 edukatorëve dhe përfshirjen aktive të 10 të rinjve nga Këshilli Rinor. Për katër muaj me radhë, 20 fëmijë me aftësi ndryshe morën pjesë në sesione terapie përmes artit dhe muzikës, duke zhvilluar aftësi komunikimi, ndjeshmëri emocionale dhe vetëbesim.
Performanca përmbyllëse ishte kulmi emocional i këtij projekti, ku fëmijët dhuruan emocione të sinqerta përmes artit të tyre, duke treguar përparimin dhe fuqinë e terapisë kreative.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, përshëndeti këtë aktivitet, duke vlerësuar rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara në jetën sociale dhe kulturore të qytetit. Ai theksoi se kjo shtresë mbetet gjithmonë në vëmendjen e institucionit që ai drejton, duke shtuar se mbështetja për projekte të tilla do të vijojë edhe në të ardhmen.
Një bashkëpunim model që dëshmon se kur bashkohen institucionet, organizatat dhe komuniteti, krijohen mundësi të reja për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.