Njoftime për qytetarët
NJOFTIM PËR AMBIENTE ME QERA
Agjencia e Shërbimeve Sociale, Bashkia Elbasan, në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në bazë të marrëveshjes së lidhur më datë 09.01.2025 ndërmjet Bashkisë Elbasan dhe Shërbimit Social Shtetëror, si dhe në bazë të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 29, datë 04.03.2025, për marrjen e ambienteve me qira në funksion të zbatimit të projektit “Qendër Multifunksionale Ditore për të Moshuar”, kërkon të marrë me qira 4 (katër) ambiente.
Jeni të lutur të paraqisni ofertën tuaj për këtë objekt prokurimi, me këto të dhëna (specifikimet teknike të mallit/shërbimit/punës):
- Ambienti duhet të jetë i përshtatshëm për organizimin e aktiviteteve.
- Ambienti duhet të jetë lehtësisht i aksesueshëm nga persona të moshuar.
- Ambienti duhet të jetë në katin e parë, me sipërfaqe 70–100 m², të disponojë tualet(e) dhe sistem ngrohjeje.
Zonat e kërkuara për ambientet janë si më poshtë:
- Midis lagjes nr. 1 dhe lagjes nr. 2:
(“Emin Matraxhiu”, “Kongresi i Elbasanit”, “Luigj Gurakuqi”, “Beqir Dardha”, “Brigada 17 Sulmuese”, “Çlirimi”, “Qemal Stafa”, “Shën Koll”, “Sul Papri”). - Midis lagjes nr. 3 dhe lagjes nr. 4:
(“Dyli Haxhire”, “28 Nëntori”, “Syrja Dylgjeri”, “Vullnetari”, “Partizani”, “Aqif Pasha”, “Kala”, “Visarion Xhuvani”). - Midis lagjes nr. 5 dhe lagjes nr. 6:
(“Haxhias”, “11 Nëntori”, “5 Maji”).
Katër qendrat ditore për të moshuarit do të funksionojnë sipas planeve buxhetore të institucionit tonë për vitet 2025–2027, me fond limit prej 1.500.000 lekësh.
Të gjithë subjektet private të interesuar janë të lutur të paraqesin ofertat ku të përfshihet:
- Ofertë për dhënie me qira.
- Vlera e qirasë mujore.
- Certifikatë regjistrimi (NUIS), ekstrakt historik.
- Vërtetim për shlyerjen e detyrimeve tatimore vendore dhe rajonale.
- Vërtetim nga Gjykata dhe Prokuroria.
- Dokument pronësie.
- Dokument identifikimi (ID).
- Foto të ambientit.
Ofertat duhet të dorëzohen me zarf të mbyllur pranë zyrës së protokollit të Bashkisë Elbasan.
- Hapja e ofertave do të bëhet më 20.05.2025, ora 11:00 am.
- Afati i fundit për pranimin e ofertave është data 04.06.2025, ora 11:00 am.
Gjithashtu ju njoftojmë se pas hapjes së ofertave, Komisioni i Vlerësimit do të bëjë verifikimin fizik të ambienteve të paraqitura në ofertë.
Faleminderit!
Njoftim: Probleme teknike në sistemin e-leje
Per arsye teknike që vijnë si pasojë e ndryshimit të sistemit e-leje nga AZHT (Agjencia e Zhvillimit të Territorit) kërkojmë mirëkuptimin tuaj për vonesat në trajtimin e dosjeve në sistemin e-leje.
Ju faleminderit për mirekuptimin.
BASHKIA ELBASAN SQARON QYTETARËT PËR MIRËPËRDORIMIN E FONDEVE
Bashkia e Elbasanit ka zgjedhur të ketë në fokus të saj parësor shërbimin e përditshëm ndaj qytetarëve dhe të mos harxhojë kohë e energji duke u marrë me baltën që hidhet qëllimisht për të spekuluar e keqinformuar rreth çdo pune që bëhet në qytet.
Por nisur nga nga një shkrim i publikuar në media dhe rrjete sociale, i cili aludon për shpërdorim fondesh nga Bashkia Elbasan dhe përzgjedhje preferenciale të operatorëve fitues në tendera sqarojmë qytetarët sa vijon:
Bashkia Elbasan në datë 23.01.2023 ka shpallur procedurën e hapur për blerje karburanti. Në garë morën pjesë tre operatorë ekonomikë.
Për blerje karburanti Bashkia e Elbasanit vuri në dispozicion shumën 30.291.667 lekë pa TVSH. Ky është fondi limit i përcaktuar për blerje karburanti dhe jo ofertë e operatorëve ekonomikë, pasi bazuar në VKM nr.285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të Prokurimit Publik”, i ndryshuar, ofertimi në rastin e procedurave për blerje karburanti bëhet me marzh fitimi në vlerë absolute.
Në këtë rast ofertat janë:
OPERATORI 1 i ofroi Bashkisë Elbasan karburant me marzh fitimi 10,80 L/litër.
OPERATORI 2 i ofroi bashkisë Elbasan karburant me marzh fitimi 17,00 L/ Litër.
OPERATORI 3 e ofroi karburantin me marzh fitimi 25,00 L/Litër.
Në bazë të ligjit nr. 162, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik” u shpall fitues operatori ekonomik që ofroi marzh më të ulët fitimi, pra në këtë rast OPERATORI 1 me 10,80 L/Litër në diferencë të konsiderueshme nga dy operatorët e tjerë.
Bashkia Elbasan ka përdorur me eficensë fondet publike pasi ka përzgjedhur operatorin që ofroi marzhin më të ulët të fitimit duke përfituar më shumë sasi karburanti brenda vlerës së fondit të përllogaritur.
Në zbatim të ligjit operatori fitues është ai që ka përmbushur kriteret e përcaktuara në dokumentat e tenderit, dhe ka ofruar çmimit më të ulët.
Ndërkohë dy operatorët e tjerë nuk kanë plotësuar të gjithë kriteret e përcaktuara në dokumentacion, por edhe kanë ofruar çmimin më të lartë.
Pavarësisht informacioneve të rreme që kanë synim të bëjnë pis imazhin e Bashkisë së Elbasanit dhe të investimeve që nuk janë ndalur asnjë ditë, ne do të vijojmë të përdorim me korrektësi dhe përgjegjshmëri taksat e qytetarëve duke i përkthyer ato në punë, shërbime dhe investime.
Njoftim Zyrës së Informacionit/ Njësive Administrative/Lagjeve
Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.673, datë 22.11.2017 “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.1147, datë 09.12.2020 “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Portali unik qeveritar e-albania” dhe për miratimin e rregullave “për mënyrën e funksionimit të pikës së vetme të kontaktit”, Urdhrit të Kryeministrit, Nr. 153 Prot., datë 25.11.2019 “Për marrjen e masave dhe rregullimin e dispozitave ligjore për aplikimin e shërbimeve vetëm online nga data 01.01.2020”, si dhe shkresën e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit nr.335 prot., datë 17.01.2022, protokolluar me tonën nr.prot.137, datë 20.01.2022, ju njoftojmë se duke filluar nga data 01.05.2022 shërbimi për shtyrjen e afatit për vazhdimin e procedurave të kreditimit në zbatim të pikave 24, 25 dhe 26 të VKM nr.453, datë 03.07.2019 “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti”, do të kryhet vetëm nëpërmjet platformës e-Albania.
Për vijueshmëri sa më të mirë të këtij procesi Bashkia Elbasan ofron asistencën e saj nga ora 8:00-10:00 pranë zyrës së informacionit për individët të cilët kërkojnë të aplikojnë në platformën e-Albania për këtë program.
Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin !