Përditësim mbi masat për parandalimin e zjarreve
Bashkia e Elbasanit përmes grupeve të punës, të ngritura për menaxhimin dhe parandalimin e zjarreve të mundshme, ka informuar qytetarët mbi rreziqet që mund të sjellë çdo pakujdesi.
Që prej fillimit të stinës së nxehtë jemi përpjekur të informojmë qytetarët në çdo cep të bashkisë Elbasan mbi pasojat që mund të sjellë zjarri, por edhe për masat ndëshkuese ndaj zjarrvënësve.
Përmes Policisë Bashkiake janë intensifikuar kontrollet në territorin e qytetit dhe zonave përreth, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve dhe parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.
Gjatë verifikimeve në terren janë evidentuar raste të tilla, për të cilat janë marrë masat administrative ligjore të parashikuara. Njëkohësisht, qytetarët janë informuar se përsëritja e veprimeve do të sjellë pasoja më të rënda, përfshirë edhe procedime penale, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi.
Bashkia e Elbasanit apelon për përgjegjshmëri të lartë qytetare. Çdo veprim i pakujdesshëm ose i qëllimshëm që rrezikon jetën, pronën dhe mjedisin, do të përballet me reagimin e menjëhershëm të strukturave përkatëse.