Përfundon rehabilitimi i rrugës “Todi Dhamo”, investim i rëndësishëm për komunitetin
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten e Partisë Socialiste zgjedhur në 11maj Aulona Bylykbashi, inspektuan sot përfundimin e punimeve në rrugën “Todi Dhamo”, një nga zonat më problematike dhe tërësisht informale të qytetit, e ndërtuar pas viteve ’90.
Zona, e njohur për mungesën e infrastrukturës, ndodhet pranë pularisë së Elbasanit në rajonin nr. 2. Deri më tani, ishte ndërhyrë në kanalizimet e ujërave të zeza, ndërsa tashmë ka përfunduar edhe shtresimi i asfaltit duke i dhënë një tjetër pamje të gjithë bllokut të banimit.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se ky investim ishte një kërkesë e hershme e banorëve të zonës, pasi përfshin rreth 250 banesa dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetesës. “Pas përfundimit të kësaj rruge, do të vijojmë me ndërrimin e të gjithë linjave të ndriçimit në lagjet periferike, për t’i unifikuar dhe për të reduktuar konsumin e energjisë. Po ashtu, synojmë të rivitalizojmë të gjitha zonat e qytetit dhe periferisë”, u shpreh Llatja.
Deputetja Aulona Bylykbashi vlerësoi përpjekjet e Bashkisë Elbasan për të strukturuar infrastrukturën në të gjitha lagjet, duke theksuar se tashmë edhe kjo lagje ka përfituar nga investimet publike. “Infrastruktura rrugore dhe kanalizimet janë jetike për përmirësimin e cilësisë së jetesës, por edhe për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të zonave rurale përmes lehtësimit të transportit, tregtisë dhe bujqësisë”, tha ajo.
“Jemi përpjekur të jemi korrektë duke investuar njësoj si në fshat, ashtu edhe në qytet”, përfundoi Llatja, duke siguruar se bashkia do të vazhdojë punën për të modernizuar të gjithë territorin e saj.
Këto investime janë pjesë e angazhimeve të ndërmarra nga Kryetari i Bashkisë, të ardhura si rezultat i kërkesave të banorëve dhe të buxhetimit me pjesëmarrje, duke treguar një model të qeverisjes vendore të afërt me qytetarin.