Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Plani i Mbrojtjes Sociale në fokus të Bashkisë: Zhvillohet takimi i radhës me grupet e interesit

Në Bashkinë Elbasan u zhvillua takimi konsultues i radhës në kuadër të hartimit të Planit të Mbrojtjes Sociale të bashkisë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin grupi i punës i ngritur me urdhër të Kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, përfaqësues të grupeve të interesit si dhe anëtarë të OGP.

Në këtë takim u diskutua dhe u ndanë ide konkrete mbi zgjerimin e shërbimeve për mbështetjen e individëve dhe grupeve në nevojë, me synimin për t’i ofruar ato sa më pranë komunitetit. U vendos theksi te shërbimet specifike për grupe të veçanta si personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet vulnerabël rome dhe egjiptiane, bazuar në një analizë të nevojave të tyre.

Bashkia Elbasan ka përjetuar ndryshime të theksuara vitet e fundit, përfshirë rritjen e numrit të familjeve të prekshme edhe në zonat rurale dhe periferike, plakjen e popullsisë, shtimin e varësisë nga shërbimet sociale si dhe emigrimin. Këta faktorë kanë çuar në nevojën për një rishikim të planit të mbrojtjes sociale, me fokus në shërbime të decentralizuara dhe të personalizuara.

Plani i ri synon t’i përgjigjet sfidave social-ekonomike, të përmbushë detyrimet ligjore dhe angazhimet në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, si dhe të sigurojë një infrastrukturë shërbimesh sociale të aksesueshme, cilësore dhe të qëndrueshme në kohë.