Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Prezantohet raporti i parë për pjesëmarrjen publike në qeverisjen mjedisore

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua sot takimi me përfaqësuesit e projektit rajonal “Convergence for Environmental Justice (CEJ)”, një nismë e financuar nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) dhe Expertise France, ku u prezantua Raporti i Vlerësimit të Nevojave për Pjesëmarrjen Publike në Qeverisjen Mjedisore.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të projektit CEJ, AFD, Expertise France, drejtues të Bashkisë Elbasan, anëtarë të Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP Local) dhe përfaqësues të organizatave partnere të shoqërisë civile.

E pranishme në takim ishte edhe Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, znj. Klaudja Krasnika, e cila theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit mes institucioneve vendore dhe komunitetit në ndërtimin e një qeverisjeje më të hapur dhe më të gjelbër.

“Bashkia Elbasan ka qenë gjithmonë e angazhuar për të ndërtuar politika mjedisore të bazuara në pjesëmarrjen e qytetarëve dhe transparencë institucionale. Ky raport përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kulturës së bashkëpunimit dhe llogaridhënies në nivel vendor,”  u shpreh znj. Klaudja Krasnika, Nënkryetare e Bashkisë Elbasan.

Raporti, i përgatitur gjatë vitit 2025 në bashkëpunim me strukturat e Bashkisë Elbasan, ofron një analizë të thelluar mbi mënyrën se si qytetarët përfshihen në vendimmarrjen mjedisore dhe si mund të përmirësohen mekanizmat e transparencës dhe konsultimit publik.

Në Elbasan janë identifikuar dy fusha pilotuese për zbatim.

Buxhetimi me pjesëmarrje, si një proces tashmë i konsoliduar që garanton zërin e qytetarëve në vendimmarrje. Konsultimet publike për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), që do të forcohen përmes bashkëpunimit më të ngushtë midis Bashkisë dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit.

Elbasani është ndër bashkitë e para në vend që ka integruar parimet e Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP Local) në politikat vendore, duke ndërtuar një forum të përhershëm qytetar për hartimin e politikave lokale. Ky forum do të shërbejë si platformë kyçe për zbatimin e rekomandimeve të raportit CEJ dhe për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen mjedisore.

Raporti vlerëson Elbasanin si një nga bashkitë me përvojën më të konsoliduar në buxhetimin me pjesëmarrje dhe me potencial për të shndërruar qeverisjen mjedisore në një praktikë model.

Në bashkëpunim me projektin CEJ dhe partnerët ndërkombëtarë, Bashkia Elbasan do të vijojë zbatimin e mjeteve inovative për pjesëmarrje publike, duke ndërtuar një model të qëndrueshëm për qeverisje të hapur dhe të gjelbër.