Punët Publike në terren: Pastrohen rrugë, kanale dhe hapësira publike në gjithë bashkinë
Ekipet e Punëve Publike të Bashkisë Elbasan janë çdo ditë në terren, duke ndërhyrë jo vetëm në qendrën e qytetit dhe lulishtet kryesore, por edhe në zonat rurale. Aksionet e pastrimit dhe mirëmbajtjes po shtrihen në rrugët rurale, kanalet vaditëse dhe hapësirat publike, për të siguruar një mjedis të pastër dhe funksional për çdo banor.
Prioritet mbeten kanalet vaditëse, të cilat janë thelbësore për bujqësinë dhe mirëmbajtjen e tokës, ndërsa njëkohësisht po pastrohen edhe rrugët nga dheu dhe mbeturinat, si dhe po kryhet kositja e barërave. Ky proces jo vetëm përmirëson pamjen e zonave, por edhe shmang probleme të mundshme infrastrukturore dhe mjedisore.
Bashkia Elbasan u bën apel banorëve që të kontribuojnë për të ruajtur pastërtinë dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren, në mënyrë që bashkë të mbajnë të pastër dhe të gjallë çdo cep të bashkisë.