Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Qendra e formimit profesional, aty ku të rinjtë sigurojnë një profesion

Qendra rajonale e   formimit profesional në Elbasan, e ka kthyer në traditë që pas përfundimit të kurseve të të rinjve në fusha të ndryshme të punësimit, të organizojë edhe ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të trajnimit në këtë qendër.

Çdo vit më shumë se 1 mijë praktikantë ndjekin programet e formimit profesional, ku certifikohen në profesione në ndryshme dhe shumë prej tyre kanë arritur të hapin sipërmarrjet e tyre duke u vetëpunësuar. Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, nën shoqërinë edhe të deputetit Florenc Spaho, ka marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për të rinjtë që tashmë kanë një zanat dhe janë të aftë profesionalisht për t’u punësuar në sektorin privat dhe shtetëror. Bashkia Elbasan, ka një bashkëpunim me Zyrën e Punës si edhe me Këshillin e Biznesit, çka ka bërë të mundur edhe punësimin e të rinjve, të cilët trajnohen prej disa muajsh në këtë qendër në profile të ndryshme.

Kryetari i Bashkisë ka inkurajuar të rinjtë që të bëhen pjesë e kurseve profesionale për një të ardhme të garantuar. Kursantë pas kryerjes së kursit janë të aftë të kryejnë një profesion me të cilën sigurojnë të ardhmen e tyre. Elbasani ofron shumë mundësi, sepse është një zonë me karakter industrial, dhe investimet do të shtohen, ndaj dhe do të ketë akoma më shumë nevojë për punësim. Duke parë këtë perspektivë shumë të rinj i janë kthyer profesionit si një siguri, dhe mundësi punësimi.  

Qendra ka kaluar edhe kufijtë, të rinj të huaj janë certifikuar duke marrë zanat në këtë qendër. Shumë nga praktikantë që kanë ndjekur programet në Qendrën e Formimit Profesional e kanë hapur sipërmarrjet e tyre duke u vetëpunësuar.

Gjatë kësaj periudhe në qendrën rajonale të formimit profesional është përmirësuar cilësia e kabineteve nëpërmjet bashkëpunimit me donatorë të ndryshëm, kabineti i ndërtimit, automekanikës, parukeri, estetisë, kursi i berberit, etj.Qendra funksionon për të gjithë bashkitë e qarkut.