Reshjet e dëborës përfshijnë zonat malore të Elbasanit, ndërhyrje në akset rrugore
Bashkia Elbasan bën të ditur se gjatë natës zonat malore të territorit të saj janë përfshirë nga reshje dëbore me intensitet të lartë. Aktualisht ka prani dëbore në fshatrat e njësive administrative Gjinar, Gracen, Labinot Mal dhe Funar.
Sa i përket situatës në akset rrugore, rruga Elbasan–Gjinar është e kalueshme vetëm me zinxhirë, duke nisur nga fshati Shelcan. Aksi Elbasan–Gracen dhe fshatrat e Gracenit janë të kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa kalimi pa zinxhirë nuk do të lejohet.
Gjithashtu, rruga Elbasan–Funar, si edhe rruga për në Labinot Mal, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Bashkia Elbasan bën me dije se në të gjitha akset ku ka prani dëbore dhe ngrica po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe sigurisë së përdoruesve të rrugës.
Në lidhje me reshjet e shiut, pavarësisht intensitetit të tyre, deri në këto momente nuk janë evidentuar problematika të mëdha në territorin e bashkisë.
Bashkia Elbasan u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse.
Për çdo situatë të mundshme emergjente, ju kujtojmë numrat e kontaktit:
Policia e Shtetit: 129
Zjarrfikësja: 128
Numri unik i emergjencave: 112
Për emergjenca të lidhura me furnizimin me ujë, në dispozicion janë edhe numrat e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve:
+355 68 641 6064
+355 69 475 0333
Bashkia Elbasan mbetet në shërbim të komunitetit.