Rikonstruksioni i shkollës së Shushicës nis brenda këtij viti, një tjetër investim për arsimin në Elbasan

Shkolla 9-vjeçare e Shushicës do të nisë rikonstruksionin total brenda vitit 2025, duke hapur një kapitull të ri për 314 nxënës dhe 33 mësues që çdo ditë japin më të mirën për edukimin e brezit të ri.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili theksoi se ky është një investim i shumëpritur dhe i kërkuar prej kohësh nga komuniteti lokal.
“Shkolla e Shushicës ka qenë një ndër prioritetet e vazhdueshme të komunitetit në procesin e buxhetimit me pjesëmarrje. Tashmë, ky projekt do të bëhet realitet, duke ofruar kushte bashkëkohore dhe një mjedis dinjitoz për nxënësit dhe mësuesit,” u shpreh Llatja.
Njëkohësisht, në fund të këtij viti bëhet e ditur se do të nisin punimet edhe për rikonstruksionin total të gjimnazit “Dhaskal Todri” dhe të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, dy institucione të rëndësishme arsimore të qytetit, që do të përfitojnë ambiente moderne dhe standarde të reja infrastrukturore.
Këto investime janë pjesë e vizionit të Bashkisë Elbasan për të forcuar sistemin arsimor, duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e dijes dhe të brezit të ri.