Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Rritja e sigurisë në komunitet:

 OSBE e cilëson  Këshillin Publik të Sigurisë Vendore Elbasan model për bashkitë e tjera në vend

“Elbasani ka Këshillin e parë dhe më të mirë Publik të Sigurisë Vendore në vend, krijuar me mbështetjen  e prezencës së OSBE -së në vitin 2016. Përvoja e tij mund të shërbejë si model për bashkitë e tjera për rritjen e sigurisë në komunitet”.

Ky është edhe vlerësimi i dhënë nga prezenca e OSBE -së në vendin tonë, gjatë një seminari organizuar  për shkëmbimin e praktikave më të mira të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) mes bashkisë së Elbasanit dhe atyre të Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit.

 Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi veprimtarinë në partneritet me Bashkinë e Elbasanit me qëllimin për të rritur efektshmërinë e KVSP-ve në trajtimin e çështjeve të sigurisë publike dhe për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve vendore dhe aktorëve joinstitucionalë në parandalimin dhe adresimin e sfidave të sigurisë në komunitet.

“Që prej krijimit në vitin 2016 me mbështetjen e Prezencës, Këshilli Vendor i Sigurisë Publike i Elbasanit – i pari në Shqipëri – ka dëshmuar efiçencë mbresëlënëse në rritjen e sigurisë në komunitet. Ai tani është një shembull i praktikave më të mira, që mund të ndahen me KVSP-të e tjera në mbarë vendin”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të takimit. Ai theksoi se suksesi i KVSP-ve varet nga përfshirja aktive e të gjithë aktorëve – zyrtarëve vendorë, agjencive të zbatimit të ligjit, organizatave të shoqërisë civile, rinisë dhe medias.

Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të lartë të Elbasanit, Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit, përfshirë kryetarët e këtyre bashkive, drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Elbasanit dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme, të organizatave rinore dhe të shoqërisë civile. Në diskutimet e tyre ata theksuan rëndësinë e KVSP-ve në parandalimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike dhe mënyrat më të mira që këto Këshilla të shërbejnë si urë mes policisë dhe institucioneve dhe komuniteteve në adresimin e shqetësimeve të sigurisë publike. Mekanizmat e sigurisë të ngritura nga KVSP-ja e Elbasanit, si edhe nismat e shoqërisë civile dhe të të rinjve për sigurinë publike u paraqitën, gjithashtu, gjatë takimit.

Gledian Llatja, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, tha: “Ne nuk mundemi dot të jemi një ishull në qark apo një ishull në Shqipëri dhe prandaj duhet që këto struktura komunitare dhe këtë mënyrë funksionimi, eksperiencën e mirë dhe të keqe, ta ndajmë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një ambient më të sigurt jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë qarkun dhe, pse jo, në të gjithë Shqipërinë”.

FJALA E KRYETARIT TË BASHKISË ELBASAN Z. GLEDIAN LLATJA

Kam kënaqësinë të falenderoj prezencën e OSBE për mbështetjen e këtij seminari me pjesëmarrje nga Bashkia Cërrik, Gramsh dhe Lushnjë me qëllim njohjen dhe shkëmbimin e përvojës së ngritjes së mekaniymit të Këshillit Vendor të Sigurissë Publike Elbasan.

Jam i vetëdijshëm se është e pamundur që një përvojë e tillë të jepet në një ditë të vetme. Megjithëse ne jemi siguruar që ju të merrni më të mirën nga ky seminar dhe për këtë arsye jemi përqendruar në disa problematika  duke prezantuar përpara jush edhe qasjen tonë për zgjidhjen e tyre.

Bazuar në përvojën e katër viteve të mandatit tim të parë kuptova se bashkëpunimi ndërinstitucional, me shoqërinë civile dhe me qytetarët është jetik për të qenë të suksesshëm në punën tonë.

Gjithashtu, kam kuptuar se ne duhet të angazhohemi për rritjen e kohezionit social dhe të vlerësojmë me seriozitet nevojat dhe zërat gjithësecilit.

Nuk ka sfidë më të madhe me të cilën përballemi ne sot se sa ajo e sigurisë. Njëkohësisht, të jesh kryetar i një bashkie do të thotë të përballesh me shumë sfida të ndërlikuara.

Që prej themelimit të tij ky mekanizëm ka sjellë ndryshime domethënëse në të kuptuarit e përbashkët të problematikave të lidhura me sigurinë;

në rritjen e partneritetit midis aktorëve publikë dhe shoqërisë civile; si edhe

ndërtimin dhe fuqizimin e besimit midis institucioneve publike e jo publike dhe komuniteteve lokale.

Në këtë mënyrë ne kemi ndërtuar një mjedis gjithëpërfshirës që lejon partneritet, bashkëpunim, të kuptuar të përbashkët të natyrës së kërcënimeve dhe qasjeve më të përshtatshme për t’i adresuar ato, si edhe shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira në funksion të rritjes së cilësisë së jetesës.

Në mbyllje të fjalës time më lejoni të shpreh bindjen e plotë se nëpërmjet diskutimeve të përbashkëta ne do të adresojmë disa prej shqetësimeve, sfidave por edhe mundësive që shtrihen drejt së ardhmes.

Shpresoj se ky seminar do t’u mundësojë pjesëmarrësve jo vetëm që të njihen me këtë mekanizëm, por edhe të krijojnë ura komunikimi dhe bashkëpunimi me profesionistët e institucioneve publike dhe atyre të organizatave të shoqërisë civile”.

KVSP është një mekanizëm që mundëson shenjëstrimin e shqetësimeve reale të publikut të përcjella në KVSP përmes burimeve të ndryshme.

Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike – të ngritura në 56 nga 61 bashkitë e Shqipërisë – janë struktura me kompetenca këshillimore, në të cilat mblidhen aktorët vendorë si pushteti vendor, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, të rinjtë, drejtuesit fetarë dhe media, për të diskutuar dhe përmirësuar bashkëpunimin shumëpalësh në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Prezenca e OSBE-së ka mbështetur krijimin dhe funksionimin e tyre që prej vitit 2016 dhe do të vijojë t’i përkrahë këto mekanizma me synimin për të institucionalizuar më tej dhe për të fuqizuar rolin e tyre në rritjen e sigurisë në komunitet.