Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Seminari Week Albania sjell në Elbasan temën “Liria në fundin e historisë”

Elbasani ishte një nga ndalesat kryesore të “Seminar Week Albania”, aktivitet i organizuar nga NEWROPE – The Design in Dialogue Lab pranë ETH Zürich, ku morën pjesë studentë dhe arkitektë të rinj nga vende të ndryshme të botës.

Të udhëhequr nga arkitektja elbasanase Alba Canaj, pjesëmarrësit u njohën nga afër me rrugëtimin historik, industrial dhe kulturor të qytetit, duke vizituar Kalanë e Elbasanit dhe Kombinatin Metalurgjik, dikur simbol i zhvillimit socialist dhe sot një hapësirë me potencial të madh për rigjenerim urban, kreativitet dhe qëndrueshmëri.

Bashkia Elbasan ka dhënë mbështetjen e saj për zhvillimin e aktiviteteve të tilla që promovojnë qytetin dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e arkitekturës, planifikimit urban dhe ruajtjes së trashëgimisë industriale.

Institucioni vendor vijon të jetë aktiv në nxitjen e projekteve që i japin jetë zonave në transformim dhe që kontribuojnë në modernizimin e qytetit.

Vizita synoi të nxisë dialog mbi të ardhmen e zonave të braktisura industriale dhe shndërrimin e tyre në vatra të reja zhvillimi, duke reflektuar mbi konceptin “Liria në fundin e historisë” dhe rolin që qytete si Elbasani mund të luajnë në të ardhmen europiane.

Elbasani vazhdon të frymëzojë si qytet i transformimit, i ideve të reja dhe i mundësive për një zhvillim bashkëkohor që respekton trashëgiminë.