Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

“Shumë pak vrasës”, komedia që thyen kufirin mes skenës dhe publikut në Teatrin “Skampa”

Në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan, për disa net me radhë artëdashësit kanë ndjekur komedinë “Shumë pak vrasës”, e ndërtuar mbi motivet e komedisë së Paul Portner, një zgjedhje harmonike mes humorit të zi, situatave absurde dhe një strukture të pazakontë narrative, ku publiku bëhet pjesë e zgjidhjes së një misteri kriminal.

Me regjinë e Rozi Kostanit, e cila jo vetëm drejton, por bëhet edhe një personazh më vete brenda komedisë, “Shumë pak vrasës” vjen si një shembull i suksesshëm i teatrit të hapur, ku spektatori jo vetëm shijon dhe qesh, por është pjesë e integruar e zhvillimit të konfliktit dramatik, hetimit, përballjes së fakteve dhe përcaktimit të zgjidhjes.

Tipizimi i personazheve është një “skulpturë” më vete dhe dëshmi e harmonisë mes konceptit regjisorial dhe një trupe dinamike aktorësh, të cilët ia dalin ta përballojnë me vërtetësi dhe improvizim estetik sfidën e një performance interaktive me publikun.

Veçanërisht i spikatur ishte interpretimi i aktorit Helido Fino, i cili e kthen Tony Whitcomb në një personazh që del jashtë kornizave të zakonshme. Me një prani skenike energjike dhe të rafinuar, Fino ndërton një figurë që lëviz mjeshtërisht mes teatralitetit ekstravagant dhe një tensioni të brendshëm emocional. Gjesti, intonacioni dhe mimika janë të kuruara deri në detaj, duke krijuar një karakter që shpërfaq humor të skajshëm, por që nuk humb kurrë ndjeshmërinë dhe sensin e masës.

Po aq e dallueshme në këtë ansambël ishte edhe interpretimi i aktores Ola Harizaj. Me një sharm të veçantë skenik, Harizaj ka ndërtuar me finesë zonjën Schubert, një karakter që shijohej estetikisht duke ndërthurur delikatesën dhe tensionin e nënkuptuar.

“Shumë pak vrasës” është një komedi me shije, me ngjyrë, formë, stil dhe mbi të gjitha me mendim e mesazh, e vërteta shpesh ndërtohet mbi perceptime dhe paragjykime, jo mbi fakte, një reflektim që publiku e merr me vete edhe pasi dritat e skenës fiken.