Takimi dypalësh BE–Shqipëri për pushtetin vendor, Llatja: Integrimi nis nga niveli lokal

Për herë të parë në Tiranë u mbajt takimi dypalësh mes Komitetit Europian të Rajoneve dhe Shqipërisë, një forum i rëndësishëm diskutimi mbi të ardhmen e qeverisjes vendore dhe rolin e bashkive në procesin e integrimit europian.
Në këtë takim, i dyti në llojin e tij, morën pjesë Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Këshilltari Rajonal i Toskanës, Antonio Mazzeo, Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Bashkive, Adelina Farrici, kryetarë bashkish nga i gjithë vendi, përfaqësues të BE-së dhe ekspertë vendas e të huaj.
Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili njëkohësisht është edhe bashkëkryetar i këtij forumi, së bashku me Antonio Mazzeo.
Ky takim vjen në një moment vendimtar për Shqipërinë, e cila po avancon me ritme të shpejta në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ndërsa roli i bashkive po bëhet gjithnjë e më thelbësor në zbatimin e standardeve të BE-së dhe në përfitimin nga programet e saj.
Duke folur në cilësinë e bashkëkryetarit të forumit, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij partneriteti dhe angazhimin e pushtetit vendor në këtë proces, duke deklaruar se, “Bashkitë shqiptare kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara në forcimin e qeverisjes vendore, përmirësimin e shërbimeve dhe zbatimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Integrimi europian nuk është vetëm një proces politik, por mbi të gjitha një proces që prek drejtpërdrejt komunitetet tona.”
Gjatë takimit u diskutua mbi integrimin europian, mundësitë që ofron Plani i Rritjes (Growth Plan), decentralizimi fiskal si dhe qëndrueshmëria financiare e bashkive, si elementë kyç për ndërtimin e institucioneve vendore më të forta, më funksionale dhe më inovative.
Këshilli i Përbashkët Konsultativ u vlerësua si një mekanizëm thelbësor që siguron jo vetëm përafrimin e politikave vendore me ato të Bashkimit Europian, por edhe fuqizimin e bashkive për të kontribuar në mënyrë aktive në axhendën europiane dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.