Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Të rinjtë bëhen shembull për riciklimin. Nis projekti “Youth4CleanAir” në gjashtë shkolla të qytetit

“Kur hedhim mbeturinat në koshin e duhur, nuk po pastrojmë vetëm shkollën tonë, por po kujdesemi për të ardhmen.”

Kështu shprehen nxënësit aktivistë të gjimnazeve të Elbasanit, të cilët u bënë pjesë e vendosjes së koshave për ndarjen e mbetjeve në burim, një nismë që po merr jetë në kuadër të projektit #Youth4CleanAir, në bashkëpunim mes Bashkisë së Elbasanit dhe Ambasadës Suedeze.

Në gjashtë shkolla të mesme të qytetit janë vendosur koshat për plastikën, metalin dhe letrën, një hap i parë drejt krijimit të një kulture të re mjedisore në mesin e të rinjve. Qëllimi është i qartë, të mësohet që në bankat e shkollës se mbetjet nuk janë thjesht hedhje, por përgjegjësi.

Në takimin me nxënësit, Kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se ky është vetëm fillimi i një ndryshimi që duhet të nisë nga brezi i ri:

 “Qëllimi i këtij akti është që të gjithë të rinjtë në gjimnaze të ndërgjegjësohen dhe të mësojnë të hedhin mbetjet në koshat e duhur, për një të ardhme më të shëndetshme. Falënderoj iniciatorët e këtij procesi, por edhe të gjithë të rinjtë që e mbështesin këtë nismë.

Bashkia e Elbasanit do t’ju vijë në ndihmë me të gjitha materialet që ju kërkoni, dhe jam i bindur se edhe bizneset e qytetit do të jenë pjesë e këtij procesi që kemi nisur së bashku.

Është shumë e rëndësishme që vetë shkollat dhe të rinjtë të bëjnë ndarjen e mbetjeve, që të bëhemi burim i riciklimit. Shkollat janë vendi më i mirë për ta nisur këtë ndryshim.

Këtë vit po e fillojmë në gjashtë shkolla, ndërsa në janar do ta zgjerojmë në të gjitha shkollat e Elbasanit. Ky projekt duhet të na bashkojë të gjithëve për të ndërtuar një shoqëri më të ndërgjegjshme dhe një mjedis më të pastër,” tha Llatja.

Me mbështetjen e Ambasadës Suedeze dhe përfshirjen e vetë nxënësve, Bashkia e Elbasanit po e shndërron këtë projekt në një platformë edukimi praktik, ku çdo kosh i vendosur në shkollë bëhet simbol i përgjegjësisë qytetare.