Teatri “Skampa” hap edicionin e 10-të të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve
Mbrëmja e djeshme në Teatrin “Skampa” të Elbasanit solli një udhëtim magjik përmes tingujve të muzikës së harqeve, duke hapur zyrtarisht edicionin e 10-të të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve.
Ky aktivitet tradicional, që prej vitesh ka zënë një vend të veçantë në jetën artistike të vendit, promovon artin, kulturën dhe bashkëpunimin mes talenteve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe rajonit.
Në këtë edicion morën pjesë orkestrat dhe ansamblet nga Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Berati dhe Ulqini, të cilat sollën një mbrëmje të mbushur me emocione, profesionalizëm dhe dashuri për muzikën.
Publiku elbasanas përjetoi një atmosferë të ngrohtë, ku muzika bashkoi breza, pasione dhe ndjenja të përbashkëta artistike.
Festivali organizohet nën drejtimin e Blerim Narazanit (Mjeshtër i Madh) si Drejtor i Festivalit, dhe Kliton Kapaj si Drejtor Organizativ.
Edhe këtë herë, Elbasani shkëlqeu si një qendër e artit dhe kulturës, duke dëshmuar se muzika mbetet një gjuhë universale që frymëzon dhe bashkon.