Tetori Rozë dhe Tetori i Librit bashkojnë mesazhe frymëzuese në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e ZVA Elbasan, Vesa Liço, morën pjesë në aktivitetin e zhvilluar në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”, në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Në këtë aktivitet, nxënësit sollën interpretime artistike, recitime dhe mesazhe sensibilizuese, duke përcjellë ndjenja të forta empatie dhe solidariteti.
Kryetari Llatja përgëzoi mësuesit, nxënësit dhe prindërit për angazhimin e tyre, si dhe për historitë personale dhe shembujt frymëzues të forcës e kurajos që u ndanë me pjesëmarrësit.
“Një aktivitet vërtet domethënës, që na kujton se sa e rëndësishme është të flasim për këto tema me dashuri, mirëkuptim dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit,” u shpreh Llatja.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe domethënëse, Tetori Rozë u bashkua bukur me Tetorin e Librit, duke sjellë një mesazh të përbashkët për dashurinë ndaj jetës, fuqinë e shpirtit dhe rëndësinë e kujdesit për shëndetin.