Tryezë e Barazisë Gjinore në Bashkinë Elbasan, fokus te dhuna digjitale dhe mbrojtja e grave e vajzave

Në Bashkinë Elbasan u zhvillua Tryeza Rrumbullake e Barazisë Gjinore, një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi mes institucioneve vendore, shkollave, profesionistëve të shëndetësisë, shërbimeve sociale dhe organizatave të shoqërisë civile. Kjo tryezë shënon nisjen e punës së përbashkët për 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, me fokus të veçantë te parandalimi i dhunës digjitale dhe forcimi e mekanizmave të mbrojtjes për vajzat dhe gratë në komunitetin tonë.
Gjatë takimit u diskutuan hapat prioritarë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe roli i shkollave, psikologëve dhe prindërve në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në mbështetjen e vajzave dhe grave që mund të përballen me forma të ndryshme dhune, përfshirë atë në mjedisin online. U prezantuan gjithashtu aktivitetet që do të zhvillohen gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit, si dhe mekanizmat ekzistues të mbështetjes dhe raportimit për rastet e dhunës, me synim rritjen e aksesit në shërbime dhe fuqizimin e viktimave për të kërkuar ndihmë dhe drejtësi.
Qëllimi i përbashkët i kësaj nisme është të ndërtohet një Elbasan më i sigurt, më mbështetës dhe më i ndërgjegjshëm, ku çdo vajzë dhe grua të ndihet e mbrojtur dhe e respektuar. Bashkia Elbasan i bashkohet fushatës me mesazhin: “Fund dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave!”, duke rikonfirmuar angazhimin për të vijuar punën në terren me të gjithë aktorët lokalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore.