Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Vijon aksioni i lirimit të hapësirave publike në Llixha, Bashkia Elbasan në kujdes të konsumatorëve dhe ambientit

Me nisjen e sezonit kurativ në Llixha të Elbasanit, të njohura si banjat termale kurative më të mira në vend, Bashkia ka intensifikuar masat për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve dhe hapësirave publike në këtë zonë.

Gjatë vitit, Llixhat vizitohen nga mijëra turistë dhe pacientë, të cilët nuk vijnë vetëm për trajtimet kurative, por edhe për të shijuar zonën dhe natyrën që e rrethojnë, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për pushime dhe shërim.

Aksioni i pastrimit përfshin pastrimin e hapësirave publike,  objekteve, largimin e mbeturinave dhe krijimin e hapësirave të lira, duke garantuar një përvojë të këndshme dhe të sigurt për vizitorët.

Bashkia e Elbasanit vendos theks të veçantë edhe në mbrojtjen dhe kujdesin për konsumatorët, duke siguruar që të gjitha objektet dhe shërbimet në zonë të jenë të rregulluara dhe të ofrojnë standarde të larta higjienike dhe shëndetësore. Operatorët dhe bizneset e zonës janë të angazhuar të respektojnë këto standarde për të garantuar kënaqësinë dhe sigurinë e vizitorëve.

Në prag të sezonit kurativ, zhvillimi i bizneseve dhe i hoteleve familjare ka bërë që Llixha të ketë një rritje të vazhdueshme të numrit të pacientëve dhe vizitorëve. Ky trend ka tërhequr jo vetëm kurues nga Kosova dhe Maqedonia, por edhe nga vende të tjera si Italia, Gjermania, Franca dhe më gjerë, të cilët kanë njohur përfitimet e Llixhave të Elbasanit përmes mediave online.

Bashkia apelon tek operatorët dhe qytetarët për bashkëpunim, duke u siguruar që Llixha të mbetet një destinacion i pastër, i rregullt dhe me reputacion të lartë gjatë gjithë sezonit kurativ. Përveç vlerës kurative, Llixhat janë një zonë shumë e bukur natyrore dhe turistike, e cila ofron për vizitorët jo vetëm shërim, por edhe mundësi për relaksim dhe shijim të peizazheve të jashtëzakonshme që e rrethojnë.