Vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike: Fadromat në terren, çdo hapësirë i kthehet qytetarëve

Në qytetin e Elbasanit po vijon me intensitet aksioni për çlirimin e hapësirave publike.
Fadromat dhe ekipet e shërbimeve bashkiake janë të pranishme në disa zona të qytetit, duke mundësuar prishjen e ndërtimeve dhe strukturave që kanë zënë trotuare, rrugë apo ambiente të përbashkëta.
Ky operacion, i cili po shtrihet në të gjitha lagjet e qytetit, ka si qëllim rikthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve dhe lëvizjes së lirë. “Çdo hapësirë i kthehet qytetarëve për përdorim të përbashkët dhe për një qytet më të hapur e më të rregullt,” thekson kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja
Aksioni është fokusuar në prishjen e objekteve pa leje, kioska, dhe ndërtime të tjera që pengonin qarkullimin apo shfrytëzimin publik të ambienteve.
Banorët e Elbasanit e kanë mirëpritur aksionin, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm për përmirësimin e jetës urbane dhe kthimin e hapësirave të përbashkëta në funksion të komunitetit.
Aksioni për çlirimin e hapësirave publike në Elbasan do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në përfundimin e plotë të ndërhyrjeve të planifikuara në të gjithë territorin e bashkisë.