Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 6 Maj 2022

Elbasan/ Bust në qendër të qytetit, për nder të heroit kombëtar Qemal Stafa!

Në 80-vjetorin e rënies së Heroit të Popullit Qemal Stafa, qytetit iu rikthye një simbol i sakrificës së rrallë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Falë bashkëpunimit të ngushtë me Këshillin e Qarkut Elbasan dhe Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve në lulishten qëndrore “Aqif Pasha” u vendos shtatorja e punuar me aq mjeshtëri e dashuri nga skulptori elbasanas Vladimir Caridha. Në vijim, në sallën e teatrit “ Skampa” Bashkia organizoi një aktivitet përkujtimor, për vlerësimin e nderimin e Qemal Stafës, simbolit të luftës për liri e përparim, dhe  për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë që u flijuan për Atdhe!. Qemal Stafa ishte bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Ndaj është nder për Elbasanin që në qendër të qytetit të ngrihet busti i një figure  si Qemal Stafa, veprimtaria revolucionare e të cilit ra në sy të pushtuesve italianë e bashkëpunëtorëve të tyre, ndaj më 5 Maj 1942 u rrethua nga fashistët italianë në Tiranë dhe u vra duke luftuar heroikisht. Qemal Stafa ishte edhe një letrar i talentuar. Krijimtaria e tij u takon kryesisht viteve të rinisë. Shkroi tregime, skica e vjersha, një pjesë e të cilave u botuan me pseudonimin “Brutus” në shtypin përparimtar të kohës. Radhitet ndër letrarët e viteve ’30. Në shkrimet e tij ai u ngrit kundër realitetit shoqëror të kohës, vuri në qendër njerëzit e thjeshtë që vuanin nga padrejtësitë shoqërore, dha portrete të luftëtarëve e të njerëzve me karakter të fortë që nuk u mposhtën nga vështirësitë e që luftuan për një botë të re. Në shkrimet e tij me karakter publicistik Qemal Stafa paraqiti haptazi idetë e tij revolucionare me pjekuri e bindje të thellë. Trashëgimi i tij letrar është përmbledhur në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”(1961)