Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 19 Maj 2022

Komisioni Evropian akordon çmim për Kryetarin e bashkisë Elbasan

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja është vlerësuar nga Komisioni Europian me çmimin “Kryetari më miqësor me romët 2022”. Për herë të parë Bashkimi Europian akordon një çmim të tillë, për Bashkitë e vendit tonw. Është vlerësuar Bashkia Elbasan pasi gjatë viteve të fundit, i është dhënë një prioritet Komunitetit Rom, në gjithpërfshirje, duke arritur rezultate të dukshme në proçeset vendimmarrëse lokale, investimet në infrastrukturë, arsim dhe punësim. Sot fëmijët Rom, frekuentojnë rregullisht shkollën, të rinj e të reja janë të punësuar në administratë publike, dhe jo vetëm, njëri prej të cilëve është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak, ç’ka e ka fuqizuar komunitetin për të ndikuar në vendimmarrjet publike. “Në tre vitet e fundit, nga koha kur jam zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Elbasanit, kam patur mundësinë të kontribuoj dhe të dëshmoj arritjet në rigjallërimin dhe zhvillimin e minoritetit Rom. Mandatin tim e kam nisur me hartimin dhe vënien në zbatim të Planit Vendor për Integrimin e Minoriteteve Rome dhe Egjiptiane 2019-2022. Një dokumenti prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës”, tha në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja. Çmimi “The Most Roma Friendly Mayor” vjen si një përpjekje dhe punë e stafit të Bashkisë si edhe e partnerëve lokalë të cilët kanë punuar për të ndërtuar një mjedis ku të gjitha minoritetet të mësojnë, zhvillohen dhe përdorin gjuhën e tyre amtare. Duke ju drejtuar anëtarëve të Parlamentit Europian, Llatja renditi edhe disa sfida të cilat mund të përballohen përmes ndjekjes së një strategjie gjithpërfshirëse, siç janë, arsimi dhe dialogu ndërkulturor, punësimi dhe arsimi profesional, lufta kundër gjuhës së urrejtjes, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe integrimi urban etj. Elbasani, një qytet krenar me një histori krenare, do të vazhdojë të mbështesë komunitetin Rom përmes angazhimit të vetë komunitetit, si edhe qytetarëve të angazhuar në kauzën e përbashkët. Bashkia Elbasan, është pjesë e Programit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “ROMACTED: “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit Rom në nivelin vendor”. 

Ftesë për të marrë pjesë në takimin e hapur publik të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike.

Të nderuar anetarë të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, përfaqësues të komunitetit, ekspertë lokal, përfaqësues të mediave, etnive, shoqërisë civile, grupeve rinore etj, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju ftoj si Kryetar i Bashkisë Elbasan njëkohësisht edhe si drejtues i Këshillit Vendor të Siguri Publike, më datë 24/05/2022, ora 11:00.

Takimi i llogaridhënies dhe transparencës të kontributit tonë në sigurinë publike do të realizohet në ambjentet e Teatrit: “Skampa”.

Jeni të lutur të merrni pjesë në këtë takim për të ndarë sëbashku arritjet, treguesit e performancës të punës tonë të përbashkët dhe për të reflektuar angazhimin tonë në aktivitet e ardhshme.

Krijimi i një bashkëpunimi të qëndrueshëm të partneritetit me të gjitha institucionet shtetërore, shoqërinë civile, komunitetin, është një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve të sigurisë publike në të gjithë territorin Urban të Bashkisë Elbasan.

 Jeni të lutur të merrni pjesë në këtë takim të hapur publik nën pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, trekëndeshit Bashki-Polici-Prokurori dhe nën partnerizimin e qendrueshëm që institucioni ynë ka me Institutin për Demokraci dhe Ndermjetesim (IDM-në).

Sëbashku do të vazhdojmë të kontribuojmë në çështjen e sigurisë publike sepse Elbasani meriton edhe më shumë.

Ju falenderojmë për bashkëpunimin,

Me respekt

KRYETARI I BASHKISË ELBASAN

Gledian LLATJA