KVSP, ANALIZON PUNËN E BËRË GJATË VITIT 2023 DHE PRIORITETET PËR VITIN 2024
Këshilli Vendor i Sigurisë Publike, është mbledhur në takimin e parë të këtij viti, për të analizuar të gjthë punën e bërë gjatë vitit 2023. I cilësuar si një model suksesi, KVSP është konsideruar si një nga praktikat më të mira në të gjithë vendin.
Mbledhja e rradhës së KVSP-së është organizuar me qëllim që të prioritizojë gjërat më të rëndësishme, sfidat më të rëndësishme, pasiguritë më të mëdha, në mënyrë që të ndërtohet një punë për të adresuar këto risqe të sigurisë, si edhe të bëhet një axhendë aktive që buron nga qytetarët.
Nën cilësinë edhe të kryetarit të KVSP -së, kryetari i bashkisë Z. Gledian Llatja, u shpreh se “jemi këtu për t’i dhënë jetë një plani të ri vendor për vitin 2024, një punë të cilën e kemi nisur vite më parë dhe cdo vit përforëcohet”, duke falenderuar të gjithë përfaqësuesit e KVSP, të komuniteteve fetare, shoqërisë civile, insituticionave të ndryshme, si edhe prokurorisë dhe policisë, krerët e të cilëve ndodheshin në këtë forum të parë.
Sakaq duke ju referuar punës së bërë nga KVSP gjatë vitit 2023, Z. Llatja pohoi se “Elbasani është marrë shembull në të gjithë bashkitë e tjera për punën e mirë që kemi bërë, ku flasim haptaz për problematikat që kemi, por pa mbështetjen e policisë dhe prokurorisë, këto projekte të mira nuk do të mund të ishin bërë. Të luftojmë krimin dhe problematikat shoqërore që ne kemi, jo vetëm me ndërgjegjësim, por duhen edhe masat ndaluese dhe parandaluese ligjore, ku me aksionet e fundit që janë bërë vitin e kaluar nga Policia, për goditjen dhe parandalimin e lëndëve narkotike, në bazë të një denoncimi që ne kemi bërë ka qenë e ndjeshme në qytet”.
Më pas Llatja ka renditur edhe disa nga shtyllat kryesore që është përqëndruar puna e KVSP -së gjatë vitit 2023, që sipas tij është fuqizimi i partneriteteve lokale dhe kombëtare me institucionet publike, shoqërinë civile dhe komunitetin. Të kuptuarit e përbashkët për prioritizimin e problematikave të lidhura me sigurinë publike. Fuqizimi i partneriteteve rajonale dhe ndërkombëtare, aktivitete të ndryshme që kemi bërë me OSBE, ku Elbasani nderkombtarisht është marrë si një shumbull i mirë.
Duke u ndalur tek krimi mjedisor, fjala kryebashkiakut është mirëpritur nga të pranishmit, pasi ai ka pohuar se “viti 2024 do të jetë viti ku ne do të luftojmë pa kompromis krimin mjedisor. Kur kemi arritur të mbyllim një nga fabrikat e mëdha të cilat nuk vendosnin fibrat ne mund të bëjmë më shumë, në bashkëpunim edhe me policinë. Të gjithë bashkë duhet të bëhemi për ta parandaluar krimin mjedisor, Jemi një qytet industrial jemi një qytet që mban ekonominë e vendit nga kjo industri por ne nuk do të tolerojmë. Ne para 3 vitesh kemi filluar me projektin e madh të Murit të Gjelbër, sidomos në zonën industriale, por ne sot duhet të luftojmë me të gjithë ato biznese të papërgjshme që përdorin mjedisin tonë në mënyrë krimininale”, tha ai.
Në vijim në këtë forum të hapur, kreu i KVSP Gledian Llatja bëri edhe një përmbledhje të aktiviteteve të zhvilluara nga KVSP.
“Kemi kryer 4 takime të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, një forum të organizuar me të rinjtë dhe të rejat me prezencën edhe të Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar Alastair King-Smith. Në fokus të këtij forumi ishin çështjet e lidhura me sigurinë si edhe inkurajimi i të rinjve dhe organizatave rinore që të bëhen zëra të fortë brenda komuniteteve të tyre, të kërkojnë më shumë llogaridhënie nga institucionet, të ndërmarrin veprime të përgjegjshme dhe të angazhohen në vendimmarrje, ku ne gkatë të gjithë kohës kemi qenë të hapur për të dëgjuar. Kemi bërë shkëmbim qytetesh (me përfaqësues nga Ballkani Perëndimor) të organizuar në bashkëpunim me Strong Cities Netëork. Shkëmbim qytetesh (me Bashkinë Gramsh, Cërrik dhe Lushnjë) të organizuar në Bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri: Pjesëmarrje në Samitin e Katërt Global të Qyteteve të Forta që u bë në New York, i cili ishte një nga aktivitetet kryesore ku bashkia Elbasan jo vetëm kishte pjesën e saj të shkëmbimit të eksperiencave por dhe përcimit të rasteve të eksperiencave që ne kemi pasur këtu”.
Në fokus kryesor të KVSP -së ka qenë parandalimi dhe lufta kundër dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. Mbrojtjen e fëmijëve, kontrolli i territorit për identifikimin e hotspoteve të kultivimit dhë konsumimit të lëndëve narkotike. Rritjen e sigurisë në shkolla, rritjen e sigurisë rrugore, si edhe mbrojtja e mjedisit.
Referuar parandalimit dhe luftës kundër dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, Z. Llatja vuri në dukje se “gjatë vitit 2023 janë menaxhuar 226 raste me problematika të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.
Gjithashtu, një rëndësi e veҫantë i është kushtuar ngritjes së kapaciteteve të punonjësve të policisë, stafit psiko – social në shkollat e mesme, mësuesit, prindërit, punonjësit social të Njësive Administrative për të kuptuar rolin e Policimit në Komunitet, për të identifikuar, trajtuar dhe referuar raste të dhunës në familje.
Mbështetje nëpërmjet strehëzës së emergjencës për gratë viktima të dhunës në familje.
Drejtori i Policisë së Qarkut Ilir Proda e cilësoi sigurinë publike si një të mirë publike, që sipas tij na përket të gjithëve, dhe është një sfidë e të gjithëve.
“Komunitetet më të sukseshme janë ato komunitete që vetëpolicohen, kjo nuk do të thotë që ju të bëni punën e policisë, por të ngrejë vetëdijen kolektive për ta ndihmuar këtë proces. Ndaj e kërkojmë vazhdimisht që ta bëjmë qytetarin pjesë të proceseve tona, që të parandalojmë krimin. Operacioni që kemi organizuar vjet kundër shpërndarjes të lëndëve narkotike i cili ishte një shqetësim i qytetarëve, ku policia nuk e kishte bërë këtë detyrë më parë, nisur nga këto nevoja që kishte komuniteti ne organizuam një operacion me mbështetjen e Prokurorisë, e cila na ka dhënë aksesin e duhur ligjor, ku prova më e madhe është se të gjithë janë të arrestuar, dhe qëndrojnë në pritje të dënimit, dhe kjo është arritje, ky në vete është parandalimi.
Mbi bazën e atij opercioni kjo punë është marrë model në të gjithë shqipërinë, për faktin e qasjes së këtij fenomeni”.
Proda, e vuri theksin edhe tek operacioni i kryer në fund të vitit, ku impaktoi në të gjithë shqipërinë.
“Rezultatet e tilla arrihen në bashkëpunim me qytetarët. Ndaj presim nga qytetarët ide të sukseshme dhe problemet që keni, ndaj kërkoj të na vini në provë, se si e bëjmë punën”.
Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan Kreshnik Ajazi e cilësoi KVSP si një takim i përkthyer në një plan të gjerë pune, ku pohoi se “ ky është një model që nuk gjendet në cdo vend, dhe këto lloj takimesh ku tre institucionet kanë rëndësinë e tyre, në garantimin e rendit dhe sigurisë publike bashkohen dhe dalin përpara qytetarëve.
Ne mund ta realizonim detyrën tonë në mënyrë të pavarur, por nuk do të kishim mundësi të përballeshim me qytetarët, ndaj dhe e vlerësojmë KVSP -në, edhe pse punën tonë do ta bënim.
E kemi parë këtë si një mundësi për të folur, për të marrë ide, shqtësime, dhe për t’i kthyer në plane të punës sonë, si edhe për të raportuar, si një element shumë i rëndësishëm i organeve publike, sepse ka të bëjë me transparencën.
Në veprimtrinë tonë duke konceptuar dhe duke marrë detyra nga KVSP, kemi pasur edhe rezultate konkrete në bashkëpunim të ngushtë të policisë, ku operacioni kundër shpërrdarësve të lëndëve narkotike e morën spunton nga KSVP, duke u përkthyer në një plan pune me rezultate konkrete.
Zhvillojmë takime me të rinjtë, kemi marrëveshje bashkëpunimi me shoqata të ndryshme, për të miturit gratë e dhunuara, etj. Dua të them se KVSP ka qenë dhe është një instrument që ne e vlerësojmë, sepse veprojmë jo vetëm në aspektin e trekëndëshit të sigurisë, por edhe sekretariatin teknik, ndjekim cështje dhe problematika konkrete, duke ndërvepruar, nga faktorë të ndryshëm vendor”.