Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Dhjetor 2023

ELITA E KLUBIT TË SPORTIT, NDEROHET NGA BASHKIA ELBASAN

Nderuam Natasha Dedja, Fatos Suvarija, Hysen Domi, Ilir Cela, Engjell Kafexhiu, Bujar Gjevori, Zyhra Bevapi, Grigor Perikliu, Fatbardha Xhyra, Liljana Xhyra, Fore Dine, Mustafa Ahmataj, Sabri Peqini, Leonidha Dashi, Fadil Kovaci, Agron Stringa, Frederik Jorgaqi, Dashamir Stringa, Mustafa Shengjini dhe Tomorr Metani si sportistë elitarë ndër vite që kanë ngritur lart emrin e qytetit dhe klubit të Elbasanit në rang kombëtarë e më tej

FUSHATA E PYLLËZIMIT, MBILLEN 9 MIJË FIDANË TË RINJ NË GJINARIN TURISTIK

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe ekipi i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, në vazhdim të fushatës së pyllëzimit në gjithë vendin, ishte në Gjinar për mbjelljen e 9 mijë fidanëve të pishës së zezë, një plan që do të vazhdojë deri në muajin mars me 15 mijë fidanë.

Gjinari është një zonë me pasuri të mëdha pyjore që nga ana tjetër po kthehet edhe në një atraksion turistik natyror. Ministrja Kumbaro u shpreh se në këtë proces, duhet të përfshihen edhe bizneset private të cilat ashtu siç shfrytëzojnë pasuritë natyrore të zonës, t’i kompensojnë ato.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja u shpreh se në zonën e Gjinarit janë bërë çdo vit mbjellje për të rikuperuar dëmet e zjarreve.

“Bizneset private kërkojnë që t’i shfrytëzojnë pasuritë natyrore për biznese dhe zhvillim ekonomik, por nga ana tjetër kemi detyrimin që të kompesojmë dhe mirëmbajmë të gjithë bashkë pyjet. Në këtë zonë turistët vijnë kryesisht për natyrën. Kështu që kombinimi i Gjinarit me çka ofron tradita, me bujtinat, është destinacioni më i mirë, kështu që duhet ruajtur.

Minsitrja Kumbaro përmendi edhe kërkesën e disa bashkive për të rishikuar bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, duke theksuar se nëse rregullat janë shumë të qarta ekuilibri mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe zonave të mbrojtura është i mundur.

MBRËMJA GALA, 150 ARTISTË PERFORMUAN NË “ SKAMPA” SI EDHE CMIME PËR EMBLEMAT E ARTIT

Mbrëmja Gala në “Skampa” e cila mbyll edhe vitin kalendarik të aktiviteteve në Elbasan, ka kulmuar në një koncert të madh festiv, nën kujdesin e vecantë të kryetarit të bashkisë Gledian Llatja.

Këtë vit “Grand Gala”, ka ngjitur në skenë 150 artistë vetëm nga Elbasani, nën dirigjimin e maestro Antonio Pine, dhe interpretimin e Orkestra e Harqeve Elbasan, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Banda Frymore Afërdita. Gjithashtu janë nderuar me titullin “ Nderi i qytetit” emblemat e teatrit “ Skampa” ndër vite, si Hasan Hoxha, Thoma Kristo dhe Tomorr Shishmani.

Në përshendetjen e tij kryetari  i bashkisë Z. Gledian Llatja pohoi se edhe ky vit që po lemë pas ka qenë i ngjeshur plot me aktivitete nga fusha teatrit, muzikës, teatrit të kukullave, kërcimit etj.

“Këtë herë ndryshe nga herët e tjera nata Gala është fokusuar vetëm në Elbasan, me trupat tona të qytetit nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, Orkestra e harqeve dhe Banda Frymore.

Në këtë skenë gjatë këtij viti janë ngjitur artistë të mirënjohur lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Kemi pasur aktivitete dinjitoze që vazhdojnë t’a mbajnë lart profesionalizmin e Teatrit “Skampa”.

Edhe vitin e ardhshëm do vazhdojmë me të njëjtat ritme dhe do të kemi në vëmendje shtimin e larmishmërisë artistike të Teatrit “Skampa”.

Sakaq Z. LLatja ka nderuar me titullin “Nderi i qytetit” 3 artistë, që i kanë dhënë shumë këtij teatri, jetës artistike dhe qytetit. U nderua me këtë titull Hasan Hoxha, (pas vdekjes) titulli “Nderi i Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e tij të çmuar si intelektual, studiues shkencor e si regjizor i Teatrit të Kukullave  në edukimin e argetimin e fëmijëve në breza”.

Thoma Kristo (i jepet pas vdekjes) titulli “Nderi i Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e shquar si aktor e regjizor në lëvizjen artistike profesioniste e amatore në Elbasan e më gjërë”.

Tomorr Shishmani, i jepet titulli “Nderi i Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e dhënë si aktor e regjizor me nivel të lartë artistik në Teatrin Profesionist “Skampa” dhe në lëvizjen artistike amatore”.

SOT NË MBRËMJE, KONCERTI I FUNDVITIT GALA NË “SKAMPA”

Kartolina e urimit për këtë fundvit, do të kulmojë sot në mbrëmje në një koncert Gala në teatrin “Skampa”, organizuar nën kujdesin e vecantë të kryetarit të bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja.

Mbrëmja Gala e fundvitit do shpërthejë në një masë emocionesh të paharrueshme të dalë me koncertin i madh nën dirigjimin e maestro Antonio Pine, dhe interpretimin e Orkestra e Harqeve Elbasan, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Banda Frymore Afërdita, si edhe Ansambli Isuf Myzyri.

 Nën moderimin e Eduart Cala dhe Suela Demiri, dhe Udhëheqës ArtisiK Zeqir Sulkuqi dhe Edmond Rrapi, kjo mbrëmje Gala do të jetë koncerti i fundit për këtë vit në elbasanin e traditës dhe kulturës qytetare.

KRASTË: DREJT FUNDIT INVESTIMI PËR HIDRANTET, MBILLEN 15 MIJË FIDANË TË RINJ

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, vlerëson bashkinë e Elbasanit për mirëmenaxhimin e Krastës

Në parkun natyror të Krastës është drejt fundit investimi për hidrantet që do të mundësojnë mbrojtjen nga zjarret në pyje, si dhe ku vazhdon mbjellja e 15 mijë fidanëve të rinj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja mori pjesë në aksionin e organizuar nga bashkia për mbjelljen e fidanëve të rinj dhe pastrimin e Krastës.

  “Krasta është mushkëria e Elbasanit, kjo është pjesa ku të gjithë qytetarët dalin për ecje pasdite. Është afër qytetit dhe është parku kryesor natyror që ne kemi. Kemi pasur probleme vitet e kaluara për shkak të zjarreve, ndaj këtë vit e kemi menaxhuar edhe me roje”, tha Z. Llatja.

Po ashtu – vijoi ai “këtë vit kemi marrë masa që të shtojmë hidrantet, kemi vendosur tubacionet e ujit për t’u furnizuar zjarrfikëset që uji të jetë pranë objekteve”.

Sipas tij, vendosja e hidranteve ka filluar në nëntor dhe brenda këtij viti pritet të përfundojë, ndërsa shprehu bindjen se deri në mars të vitit 2024 synohet mbjellja e 35 mijë pemëve në bashkinë e Elbasanit.

Ministrja Kumbaro duke vlerësuar bashkinë Elbasan për vendosjen e hidrantanteve si edhe mbjelljes së pemëve u shpreh se “kjo mënyrë duhet shtrirë në të gjitha bashkitë. Është e vërtetë që vitet e fundit ne kemi pasur shumë dëme edhe në Elbasan e Pishë Poro, ku atje kemi filluar edhe rehabilitimin. Më vjen mirë që bashkia e Elbasanit ka filluar këtë investim të ri me hidrantet”.

Kumbaro tha se 2024 e kemi shpallur “Vitin e pyjeve” dhe ajo që është e rëndësishme është që viti pyjeve nuk do të thotë vetëm pyllëzim, sepse nuk e pyllëzojmë dot Shqipërinë në atë masë vetëm për një vit, por edhe masa të marra edhe investime që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen, me masat parandaluese kundër zjarreve siç po bëni ju është pjesë e po të njëjtit program”.

“Të ardhurat që nxjerrim nga ekonomitë pyjore, çdo bashki duhet t’i riinvestojë në planet e menaxhimit, por jo çdo bashki e ka bërë këtë gjë. Bashkitë janë  administruese të pyjeve në territor. Në janar do të kemi një skanim të gjithë situatës”, tha Kumbaro.

Viti i Pyjeve është shpallur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Qeveria e Shqipërisë si një vit me fushata pyllëzimi, por edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët.

“MIRËNJOHJE E QYTETIT” PËR NXËNËSEN E DALLUAR ERIS KOKONESHI

Eris Kokoneshi, nxënësja e dalluar si edhe një nga sportistet vajza me rezultatet më të larta në disiplinën e pingpongut, është pritur në zyrën e kryetarit të bashkisë, z. Gledian Llatja.

 E shoqëruar me prindërit e saj, kreu i bashkisë pati kënaqësinë që t’i jepte titullin “Mirënjohje e qytetit” nxënëses Eris Kokoneshi, me motivacionin “Për arritjen e rezultateve të larta në disiplinën sportive të ping pong, si dhe arritjen e rezultateve të shkëlqyera në mësime”.

Njoftim për mbledhjen e Këshillit Bashkiak

NJOFTIM


Lënda: Njoftim për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak Elbasan.

Ju njoftojmë se më datë 26.12.2023, ora 13:00 zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak Elbasan e thirrur nga Kryetari i Këshillit në bazë të Ligjit 139/2015, neni 53 pika 4),në ambjentet e qëndrës rinore me këtë rend dite:

  1. Miratimi i rendit të ditës së Mbledhjes.
  2. Miratimi i proçesverbaleve të mbledhjeve të muajit Nëntor (dt.30.11.2023) dhe Dhjetor (19.12.2023).
  3. Mbi dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i Bashkisë për muajin Nëntor 2023.

3/1 Mbi dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për muajin Nëntor 2023.

  • Mbi miratimin e buxhetit të Bashkisë Elbasan për vitin 2024 dhe miratimin e programit buxhetor afatmesëm përfundimtar për periudhën 2024-2026.
  • Për vendosjen në institucionet rezidenciale të shërbimeve sociale të Z. Çlirim Doka.
  • Për miratimin e bursave për nëxënësit e arsimit parashkollor për vitin shkollor 2023-2024.
  • Mbi dhënie me qira dhe ne perdorim (rinovim kontratash) të disa ambjenteve nga Bashkia Elbasan.
  • Për miratimin e planit  të strehimit social 2024-2029.
  • Për miratimin e planit vendor të veprimit për mbrojtjen sociale 2024-2027.
  • Mbi shpërndarjen e fondit financiar te mbrojtjes civile  te vitit 2023 per 30 familjet e demtuar nga termetet e muajit Shtator dhe Nentor 2019 dhe dhenien e ndihmes financiare nga ana e Bashkise Elbasan.

Të ndryshme,       

Vo.Komisionet do të mblidhen ditën e premte  më datë 22.12.2023 ora 11:00 në ambjentet Bashkisë Elbasan.

KRYETARI I KËSHILLIT BASHKIAK ELBASAN

Lutfi LALA

DREJT PËRFUNDIMIT URA E RE E CILA DO TË LIDH FSHATRAT KODËR BUJARAS DHE BUJARAS

Është drejt përfundimit ura e cila e re e cila po ndërtohet në njësinë administrative Tregan, e cila do të lidh dy fshatrat Kodër Bujaras dhe Bujaras. Punimet i ka parë nga afër kryetari i bashkisë Gledian Llatja i shoqëruar nga deputetja Desantila Tahiraj.

 Duke e cilësuar si një kërkesë të kahershme të 70 banorëve të dy fshatrave kryebashkiaku Llatja tha se “investimi në fjalë është realizuar në bashkëpunim me bashkinë Elbasan dhe qeverinë shqiptare, për t’i ardhur në ndihmë përmirësisimit të jetesës së të gjithë banorëve të zonës. Pas përfundimit të urës, FSHZH do të kryejë investimin e rrugës e cila do të lidhë dy fshatrat me njësitë administratiove të Treganit dhe Gjergjanit”.

Sipas tij “ura në Kodër Bujaras e cila do të përfundojë brenda muajit Janar ishte një kërkesë e kahershme për ndërlidhjen e këtyre dy fshatrave si edhe lagjeve në krah të përroit. Është një bashkëpunim edhe me emergjencat civile të ushtrisë, për ndërtimin e urës. Tashmë po investohet tek pjesa e këmbëve së urës, dhe paralel janë kryer edhe 300 metra pritë lumore me qëllim që të mos dëmtojë as urën e as tokat bujqësore”.

Kodër Bujarasi njihet si zonë për mbjelljen e duhanit, dhe parashikohet që në muajin janar të vitit 2024 ura do të vihet në shërbim të banorëve si edhe mjeteve.

Edhë në këtë rast ndërtimi i kësaj ure të re, ka qenë një premtim i bashkisë së Elbasanit, për të vijuar më pas me një tjetër investim ndërtimin e rrugës së këtyre dy fshatrave.

Muzeu Etnografik, aty ku tradita vjen edhe në ditët e sotme

Nxënësit e shkollave në qytet njihen me traditën e qytetit ndër shekuj

Muzeu etnografik në Elbasan, që funksionon si i tillë prej shumë dekadash, mban brenda mureve të tij një pasuri të vyer të kulturës popullore të kësaj treve, mes të cilave spikat një mozaik prej 80 lloj zejesh. 

Ndaj edhe cdo ditë muzeun e vizitojnë jo vetëm të huaj, por edhe nga vendi si edhe qyteti i Elbasanit. Një bashkëpunim mes shkollave dhe bashkisë së Elbasanit, ka bërë të mundur që muzeu të vizitohet edhe nga nxënësit, me qëllim që këta të fundit të mësojnë dhe ruajnë traditën e vyer të Elbasanit ndër shekuj.

Të rinjtë janë njohur me historinë e ndërtimit të muzeut deri në ditët e sotme.  Muzeu është ndërtuar në fund të shekullit të XVII-të, dhe në vitin 1986 nga një rikonstruksion që ju bë nga Instituti i Monumenteve të Kutlurës u kthye në Muze Etnografik. 

Qëllimi i këti bashkëpunimi mes shkollash sipas drejtorit të muzeut Kliton Kapaj, kryhet me qëllim që të rinjtë të njihen me traditat e vyera që mbart qyteti i Elbasanit, të cilat janë të ekspozuara ndër shekuj në këtë godinë.

  Në dhomat e godinës dy katëshe të muzeut, nxënësit janë njohur me objektet që janë trashëguar brez pas brezi, ku pasqyrohet mënyra e jetesës së kësaj zone, mobilimet, veshjet, etj.

   Me një godinë me arkitekturë të vecantë Muzeu Etnografik u krijua në vitin 1986. Specialistët e kulturës në atë kohë vendosën që si ‘strehë’ e pasurisë popullore, të krijuar brez pas brezi, të shërbente shtëpia e Sejdinëve, që ndodhet në ‘Sheshin e Bezistanit’, në qendër të Elbasanit. Shtëpia, një ndërtesë karakteristike me çardak, e veçantë në llojin e saj në trevën e Elbasanit, u restaurua në atë kohë dhe u përshtatat për muze. 
     Në planin kompozicional, banesa e ndërtuar në vitin 1870 ngjan me shtëpitë karakteristike të Beratit dhe Shkodrës. 
     Kati i parë i banesës paraqiten vlerat e traditës popullore. Dhoma e punimit të leshit, dhoma e metaleve si dhe dhoma e tabakëve kanë zënë vend në këtë kat, duke i krijuar mundësi vizitorit që të njihet me kulturën dhe traditën vendase. 
     Ndërsa kati i dytë i banesës së Sejdinëve përbëhet nga një korridor i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave dhe dhoma e nuses. 
     Në mozaikun e zejeve, që pasqyrohen në këtë muze, përmenden punimet e shajak punuesve, qelesh punuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, e saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve, mullinjtë primitivë të vajit, si dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabitis, monumenti që vërteton arkeologjikisht vendndodhjen e Skampis.
     

Janë një mozaik i pasur veshjesh që pasqyrojnë tiparet etnografike të krahinës, mjeshtritë e Terzinjve, të cilët spikasin në punimin e jelekëve, xhamadanëve, xhybeve, dollomaneve, etj.