Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

KRASTË: DREJT FUNDIT INVESTIMI PËR HIDRANTET, MBILLEN 15 MIJË FIDANË TË RINJ

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, vlerëson bashkinë e Elbasanit për mirëmenaxhimin e Krastës

Në parkun natyror të Krastës është drejt fundit investimi për hidrantet që do të mundësojnë mbrojtjen nga zjarret në pyje, si dhe ku vazhdon mbjellja e 15 mijë fidanëve të rinj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja mori pjesë në aksionin e organizuar nga bashkia për mbjelljen e fidanëve të rinj dhe pastrimin e Krastës.

  “Krasta është mushkëria e Elbasanit, kjo është pjesa ku të gjithë qytetarët dalin për ecje pasdite. Është afër qytetit dhe është parku kryesor natyror që ne kemi. Kemi pasur probleme vitet e kaluara për shkak të zjarreve, ndaj këtë vit e kemi menaxhuar edhe me roje”, tha Z. Llatja.

Po ashtu – vijoi ai “këtë vit kemi marrë masa që të shtojmë hidrantet, kemi vendosur tubacionet e ujit për t’u furnizuar zjarrfikëset që uji të jetë pranë objekteve”.

Sipas tij, vendosja e hidranteve ka filluar në nëntor dhe brenda këtij viti pritet të përfundojë, ndërsa shprehu bindjen se deri në mars të vitit 2024 synohet mbjellja e 35 mijë pemëve në bashkinë e Elbasanit.

Ministrja Kumbaro duke vlerësuar bashkinë Elbasan për vendosjen e hidrantanteve si edhe mbjelljes së pemëve u shpreh se “kjo mënyrë duhet shtrirë në të gjitha bashkitë. Është e vërtetë që vitet e fundit ne kemi pasur shumë dëme edhe në Elbasan e Pishë Poro, ku atje kemi filluar edhe rehabilitimin. Më vjen mirë që bashkia e Elbasanit ka filluar këtë investim të ri me hidrantet”.

Kumbaro tha se 2024 e kemi shpallur “Vitin e pyjeve” dhe ajo që është e rëndësishme është që viti pyjeve nuk do të thotë vetëm pyllëzim, sepse nuk e pyllëzojmë dot Shqipërinë në atë masë vetëm për një vit, por edhe masa të marra edhe investime që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen, me masat parandaluese kundër zjarreve siç po bëni ju është pjesë e po të njëjtit program”.

“Të ardhurat që nxjerrim nga ekonomitë pyjore, çdo bashki duhet t’i riinvestojë në planet e menaxhimit, por jo çdo bashki e ka bërë këtë gjë. Bashkitë janë  administruese të pyjeve në territor. Në janar do të kemi një skanim të gjithë situatës”, tha Kumbaro.

Viti i Pyjeve është shpallur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Qeveria e Shqipërisë si një vit me fushata pyllëzimi, por edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët.