Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 19 Dhjetor 2023

Muzeu Etnografik, aty ku tradita vjen edhe në ditët e sotme

Nxënësit e shkollave në qytet njihen me traditën e qytetit ndër shekuj

Muzeu etnografik në Elbasan, që funksionon si i tillë prej shumë dekadash, mban brenda mureve të tij një pasuri të vyer të kulturës popullore të kësaj treve, mes të cilave spikat një mozaik prej 80 lloj zejesh. 

Ndaj edhe cdo ditë muzeun e vizitojnë jo vetëm të huaj, por edhe nga vendi si edhe qyteti i Elbasanit. Një bashkëpunim mes shkollave dhe bashkisë së Elbasanit, ka bërë të mundur që muzeu të vizitohet edhe nga nxënësit, me qëllim që këta të fundit të mësojnë dhe ruajnë traditën e vyer të Elbasanit ndër shekuj.

Të rinjtë janë njohur me historinë e ndërtimit të muzeut deri në ditët e sotme.  Muzeu është ndërtuar në fund të shekullit të XVII-të, dhe në vitin 1986 nga një rikonstruksion që ju bë nga Instituti i Monumenteve të Kutlurës u kthye në Muze Etnografik. 

Qëllimi i këti bashkëpunimi mes shkollash sipas drejtorit të muzeut Kliton Kapaj, kryhet me qëllim që të rinjtë të njihen me traditat e vyera që mbart qyteti i Elbasanit, të cilat janë të ekspozuara ndër shekuj në këtë godinë.

  Në dhomat e godinës dy katëshe të muzeut, nxënësit janë njohur me objektet që janë trashëguar brez pas brezi, ku pasqyrohet mënyra e jetesës së kësaj zone, mobilimet, veshjet, etj.

   Me një godinë me arkitekturë të vecantë Muzeu Etnografik u krijua në vitin 1986. Specialistët e kulturës në atë kohë vendosën që si ‘strehë’ e pasurisë popullore, të krijuar brez pas brezi, të shërbente shtëpia e Sejdinëve, që ndodhet në ‘Sheshin e Bezistanit’, në qendër të Elbasanit. Shtëpia, një ndërtesë karakteristike me çardak, e veçantë në llojin e saj në trevën e Elbasanit, u restaurua në atë kohë dhe u përshtatat për muze. 
     Në planin kompozicional, banesa e ndërtuar në vitin 1870 ngjan me shtëpitë karakteristike të Beratit dhe Shkodrës. 
     Kati i parë i banesës paraqiten vlerat e traditës popullore. Dhoma e punimit të leshit, dhoma e metaleve si dhe dhoma e tabakëve kanë zënë vend në këtë kat, duke i krijuar mundësi vizitorit që të njihet me kulturën dhe traditën vendase. 
     Ndërsa kati i dytë i banesës së Sejdinëve përbëhet nga një korridor i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave dhe dhoma e nuses. 
     Në mozaikun e zejeve, që pasqyrohen në këtë muze, përmenden punimet e shajak punuesve, qelesh punuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, e saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve, mullinjtë primitivë të vajit, si dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabitis, monumenti që vërteton arkeologjikisht vendndodhjen e Skampis.
     

Janë një mozaik i pasur veshjesh që pasqyrojnë tiparet etnografike të krahinës, mjeshtritë e Terzinjve, të cilët spikasin në punimin e jelekëve, xhamadanëve, xhybeve, dollomaneve, etj.