Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 19 Korrik 2024

Llatja vlerëson investimet në infrastrukturën sportive në prag të Kampionatit Europian të Basketbollit në Elbasan

Kampionati Europian i Basketbollit U18 për djem, i cili do të mbahet në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, është një ngjarje e rëndësishme për qytetin tonë.

 Në këtë kuadër, kryetari i bashkisë, z. Gledian Llatja, zhvilloi një bashkëbisedim me elitën e Klubit Shumësportësh në ambientet e ristrukturuara tërësisht të pallatit të sportit, duke falënderuar për punën e bërë dhe duke inkurajuar që ky kampionat të mos jetë i pari, por të sjellë të tjera të ardhme në Elbasan.

“Ky është aktiviteti i parë i madh ndërkombëtar që bëhet në Elbasan, por gjatë kësaj periudhe i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë të gjitha ambienteve tona sportive, sidomos Pallatit të Sportit ‘Tomorr Sinani’ dhe fushës së vjetër të sportit ‘Shefqet Lamcja’.

 Pallati i Sportit është një nga fokuset kryesore për rehabilitimin e tij. Këto ndërhyrje që kemi bërë bashkarisht kanë qenë të domosdoshme për ta rikthyer në shkëlqimin që ka pasur dhe pse jo ta kalojë atë,” tha z. Llatja.

Pallati i Sportit ka marrë një pamje të re dhe zhvillim infrastrukture me ambiente të përshtatshme, salla mbledhjesh, dhe një parket që përmbush standardet e kërkuara nga Federata e Basketbollit dhe ajo e Volejbollit. E gjithë infrastruktura që i shërben tifozëve është rikualifikuar. Kryetari Llatja theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe mbështetjen për sportistët e rinj.

“Vitet e fundit, sporti në Elbasan ka njohur një dimension tjetër. Kjo nuk ka ardhur vetë, por është bërë një punë e madhe nga ana jonë dhe ju. Dua t’ju falënderoj për punën e mirë që keni bërë dhe mbështetjen që i keni dhënë të rinjve dhe ekipeve tona. Ne jemi gati për Kampionatin Europian të Basketbollit U18 me ambientet tona dhe uroj shumë që të jemi kampionë,” shtoi ai.

Sa i përket akomodimit të ekipeve në Elbasan, z. Llatja pohoi se “po e presim me padurim Kampionatin Europian të Basketbollit që është një nga eventet kryesore, hotëlerinë e kemi, e cila ishte një nga kushtet që kërkohen, është shumë komode, kemi edhe zonën e Treganit që ka hotele shumë të mira, dhe në këtë periudhë që është kampionati është jashtë sezonit turistik, dhe ka mundësi të akomodojë të gjithë ekipet tona”.

Bashkia Elbasan ka dhënë të gjithë mbështetjen financiare që është kërkuar , dhe do të vazhdojë t’a japë për të gjithë pjesën e infrastrukturës  dhe terreneve sportive.

Në fund, kryetari i bashkisë ftoi të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe vizitorët e Shqipërisë që vijnë si turistë të mos e humbasin këtë ngjarje të rëndësishme, duke theksuar se mbështetja e tifozëve është thelbësore për suksesin e kampionatit dhe zhvillimin e mëtejshëm të sportit në qytet.

Franceska Kasa: Artistja që ndriçon skenën muzikore me zërin e saj magjepsës

Franceska Kasa, një yll në ngjitje në skenën muzikore, po shkëlqen me zërin e saj magjepsës dhe pasionin e pashuar për këngën. Në moshën 15-vjeçare, ajo ka arritur të ndërtojë një karrierë të ndritur, duke ndjekur gjurmët e disa prej ikonave më të mëdha të muzikës. Rruga e saj drejt suksesit është mbushur me përpjekje të mëdha, sakrifica dhe një dashuri të madhe për artin e muzikës, duke e bërë një emër për t’u mbajtur mend dhe për t’u ndjekur me admirim.

Ajo është një vajzë me një zë të jashtëzakonshëm dhe një pasion të pashuar për këngën, i cili është zbuluar që në moshën 4-vjeçare. Duke kënduar përpara televizorit, Franceska shpejt tërhoqi vëmendjen e nënës së saj, e cila pa potencialin dhe pasionin e saj për muzikën dhe e mbështeti fuqimisht që nga fillimi.

Në rrugëtimin e saj muzikor, Franceska është frymëzuar nga emra të mëdhenj si Aurela Gaçe, Tina Turner dhe Dua Lipa. Duke marrë pjesë në qendrën kulturore të Elbasanit, ajo nisi hapat e saj të parë në muzikë, duke ndjekur mësimet e profesor Liman Tërnovës, i cili ka qenë një mentor i përkushtuar dhe një mbështetës i vazhdueshëm i saj.

Franceska ka marrë pjesë në shumë festivale muzikore, fillimisht në qytetet shqiptare si Elbasani, Tirana dhe Shkodra, dhe më pas në skena ndërkombëtare në Kosovë, Maqedoni dhe përtej. Si anëtare e Shoqatës Botërore Ëappa Ëorld, ajo ka performuar në shumë vende dhe ka fituar trofe dhe certifikata të shumta. Për Franceskën, modeli i saj i preferuar mbetet Aurela Gaçe, një artistë nga e cila ajo mëson dhe frymëzohet vazhdimisht.

Zhanri muzikor i Franceskës është pop dhe xhaz, por ajo është një artiste e gjithanshme që mund të interpretojë të gjitha rrymat muzikore. Përkundër sfidave të shumta, përfshirë ngjirjen vokale gjatë provave, Franceska vazhdon të përmirësojë teknikën e saj dhe të përgatitet për performanca të mëdha. Ajo ka marrë pjesë në festivale si Gjeniu i Vogël, Junior Fest dhe X Factor, dhe në arenën ndërkombëtare ka fituar çmime në Sanremo dhe Capitala Musicala në Rumani.

Pavarësisht angazhimeve muzikore, Franceska ka arritur të shkëlqejë edhe në shkollë, duke qenë një nxënëse me rezultate të shkëlqyera. Një nga momentet më të paharruara të saj ishte kur gjatë performancës në Rumani, në ditëlindjen e saj, drejtori i festivalit e surprizoi me një tortë në skenë.

Franceska shpreson që në të ardhmen të korrë suksese edhe më të mëdha dhe të realizojë ëndrrën e saj të performojë në skena botërore. Ajo nuk ka një ritual të veçantë për zërin, por i kushton rëndësi vokalicave të përditshme. Mesazhi i saj për të rinjtë është të punojnë fort, të besojnë në vetvete dhe të mos dorëzohet kurrë. Franceska dhe familja e saj janë shumë krenarë për arritjet e saj deri tani dhe presin një rrugëtim të suksesshëm në të ardhmen.

Një këngë që ka një domethënie të veçantë për të është “You Never Knoë”, e cila përçon mesazhin se njerëzit shpesh gjykojnë pa njohur të tjerët dhe pa ditur çfarë kanë përjetuar. Franceska shpreson që pas pesë vitesh të jetë një artiste e zhvilluar dhe e suksesshme, duke vazhduar të ndjekë ëndrrat e saj dhe të fitojë duartrokitjet e publikut në skena botërore.

Mesazhi i artistet Franceskë për moshatarët e saj, dhe të gjithë të rinjtë është: Të punojne fort! Të besojnë në vetvete! Të mos dorëzohen dhe te mos e lejnë ëndrrën e tyre përgjysmë.