Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 31 Korrik 2024

Bujtina Agim, një destinacion i ri i mikpritjes në Funarin turistik të Elbasanit

Në mes të natyrës së virgjër dhe peizazheve mbresëlënëse, bujtina Agim ka pritur vizitën e kryetarit të Bashkisë, z. Gledian Llatja, i cili ka mbështetur fuqishëm promovimin e këtij turizmi malor në qytetin e Elbasanit.

 Funari, kjo perlë turistike, ka hapur dyert për qindra turistë këtë verë të nxehtë, tërhequr jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende si Gjermania, Holanda, madje edhe Dubai.

Një nga bujtinat që spikat në këtë zonë është Bujtina Agim, e mobiluar me kujdes dhe komoditet. Ajo përmban tre dhoma gjumi me kushte higjeno-sanitare të shkëlqyera. Vizitorët janë të shumtë, duke bërë rezervime jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga jashtë vendit. Administruesja e bujtinës tregon se kërkesat janë të shumta dhe rezervimet bëhen edhe me telefon, duke theksuar se numri i lartë i vizitorëve ka qenë një surprizë për të gjithë.

“Ka raste kur turistët presin që të largohet një turist për ta prenotuar tjetri,” thotë ajo.

 Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, shprehet se “kur filluam idenë e Funarit dhe të promovonim bujtinat, duke i kërkuar banorëve të cilët kishin zbritur në qytet apo jashtë, t’i kthenin shtëpitë e tyre në bujtina, kjo dukej si çudi. Por sot, me investimet e fundit dhe ndihmën e BE-së me projektet info cross border, kemi bërë investime në infrastrukturën e ujësjellës kanalizimeve dhe energjinë elektrike.”

Falë ndihmës së BE-së për promovimin e turizmit, janë ngritur info point-e, janë vendosur kajakë, biçikleta, qendra parashutizmi dhe shtigje malore, duke e kthyer Funarin në një destinacion të pashoq turistik. “Nuk do të mendohej kurrë që turistët do të zgjedhin vetëm detin, por edhe zonat malore si Funari,” shton z. Llatja.

Bujtina Agim, e vendosur në një zonë rurale, ofron një përvojë të veçantë me freskinë e natyrës, praninë e bletëve, liqenit dhe kafshëve të ndryshme.

 “Është një mrekulli, me një freski që nuk e gjen në qytet,” shprehet z. Llatja.

 “Jemi të kënaqur për këtë, ne kemi promovuar dhe do të vazhdojmë të promovojmë bujtinat. Kemi disa vite që investojmë dhe po shohim frutet e punës sonë. Bujtina Agim dhe të tjera po hapen, dhe turistët vijnë për të eksploruar Funarin, qëndrojnë këtu për dy-tre muaj, punojnë këtu, dhe kjo është diçka shumë pozitive.”

Funari po kthehet në një destinacion tërheqës për turistët, dhe Bujtina Agim është një shembull i shkëlqyer i zhvillimit dhe mikpritjes shqiptare.